Lajme

Zyba pas takimit me shefin e AKI-së: Ka pasur plan për atentat ndaj Kurtit

By GAZETA SCANNER 1

February 21, 2024

Gjatë ditës së mërkurë shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e këtij institucioni të sigurisë.

Ndryshe nga deputetët e opozitës që zgjodhën të heshtin, deputeti i VV-së, Salih Zyba, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i këtij komisioni, ka thënë se shefi i AKI-së raportoi edhe për rastin e kërcimeve kundër kryeministrit Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij ditë më parë në Shkup.

Zyba ka theksuar se drejtori i AKI-së foli në mënyrë specifike për këtë plan dhe thirrjet kërcënuese, për të cilat u shpreh se autoritetet e Kosovës kanë njoftuar edhe ato relevante të Maqedonisë së Veriut.

I pyetur se a ka pasur plan për atentat ndaj Kurtit në Shkup, Zyba e ka pohuar këtë, në një intervistë për RTK.

“Po. Sipas njoftimeve tashmë të ditura, ka pasur thirrje dhe potencialisht edhe plan, por çfarë niveli dhe çfarë konfirmimi, kjo i mbetet organeve të tjera. Ne kufizohemi me të drejtat tona dhe përgjegjësitë që i kemi në kuadër të Komisionit.

Por, një gjë që duhet ta theksoj që me iniciativë dhe kërkesë të disa deputetëve, kryesisht të opozitës, e kemi ftuar dhe i është përgjigjur ftesës në kohë reale drejtori i Agjencisë dhe për të cilin, thashë prapë se i kemi disa kufizime për temën, mirëpo seriozitetin e ka pasur Agjencia dhe përmes tij akterë të tjerë të sigurisë”, ka thënë Zyba.