Lajme

Zogaj: VV e PDK po bllokojnë Prishtinën, rrezikojmë t’i humbim rreth 9 milionë euro

By GAZETA SCANNER 1

October 02, 2024

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka akuzuar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të projekteve për Prishtinën dhe miratimin e buxhetit.

Ai ka thënë se janë afër të krijojnë një shumicë të re në Kuvendin  Komunal, e cila siç ka thënë ai u lëndua pas largimit të PDK-së nga koalicioni. “Jemi shumë afër një shumice të re në Kuvendin komunal, normalisht dalja e PDK-së  e ka lindu këtë shumicë politike. E bllokojnë dhe tendencat janë për me blloku për qëllime partiake dhe të votës. Bllokimi i Prishtinës sot po vjen nga Vetëvendosje dhe PDK”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1.

Zogaj ka thënë se nëse nuk miratohet buxheti për kryeqytetin atëherë do t’i humbin afër 9 milionë euro.

“Ka kohë edhe pak, afati i fundit është dhjetori, nëse nuk votohet në dhjetor, atëherë kur shkon për votim në Kuvendin e Kosovës futemi në një zonë të rrezikshme, ku sipas Ligjit për qeverisje lokale nëse nuk votohet buxheti atëherë asambleja shkon në zgjedhje. I bie që ne t’i humbim rreth 9 milionë euro”, ka thënë Zogaj.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka arritur që në seancën e fundit të miratojë buxhetin për vitin 2025.

VV-ja dhe PDK-ja kanë akuzuar LDK-në për buxhet elektoral.