Lajme

Zogaj: Me LDK-në ulen çmimet e rriten pagat

By GAZETA SCANNER 1

December 01, 2024

Kandidati për deputet i LDK-së, Alban Zogaj, ka theksuar se ekonomia do të jetë prioriteti kryesor i tij, duke vënë në pah rëndësinë e fuqizimit të sektorit privat dhe rritjes së investimeve.

Ai në Blic Interview me Astrit Gashin ka shprehur shqetësimin për gjendjen e rëndë të ekonomisë, e cila, sipas tij, është në nivelin më të ulët në dekadat e fundit, duke u ndjerë sidomos në sektorin privat që ai e cilësoi si të braktisur.

“Fillimisht kandidatura është për deputet, ky është edhe fokusi im. Unë do të merrem me ekonomi sepse jam doktor i ekonomisë. Sektori privat dhe ekonomia është në nivelin më të ulët që ka qenë në dekadat e fundit dhe duhet me u kthy të fuqizojmë këto dy çështje”, tha Zogaj.

“Sektori privat po ndjehet i braktisur, kjo është e pafalshme për vendin tonë. Ekonomia ngjallet me investime, investimet po mungojnë aktualisht në vendinë tonë. Qeveria nuk po investon”, shtoi ai.

Zogaj theksoi se qeveria aktuale ka dështuar të përfundojë projektet e rëndësishme dhe ka lënë anash investimet, ndërsa përmendi shembuj si urën e Badocit, që ka mbetur pa përfunduar për katër vite.

“Unë, jam i habitur me sa pak punë është bërë në katër vitet e fundit. 12 miliardë euro, por asnjë projekt nuk është përfënduar, madje as ura e Badocit për katër vite nuk mbërriti me u përfundu. Kjo Qeveri nuk është e orientuar në projekte e investime, por diku tjetër. E kemi parë ne ku është e orientuar. Kuri në vazhdimësi ka deklaruar për dialogun me Serbinë dhe çështjet e veriut, ku e ka lënë anash plotësisht pjesën e investimeve dhe pjesën e infrastrukturës”, shtoi Zogaj.

Ai premtoi uljen e TVSH-së dhe rritjen e pagave, duke premtuar që do të rrisin koeficientin në 150 euro në javën e parë të qeverisjes së LDK-së

Po ashtu, ai e vlerësoi programin “Rruga e re” si një mundësi për përfundimin e projekteve kryesore rrugore, duke përfshirë ato për Podujevë, Mitrovicë dhe Pejë, që, sipas tij, do të përfundojnë menjëherë.

“Në programin “Rruga e re” i kemi krejt projektet kryesore rrugore, në mënyrë që të përfundojnë menjëherë, kjo nënkupton rrugën për Podujevë, Mitrovicë dhe Pejë”.

“Gjatë katër viteve të kësaj qeverie ka pas inflacion rreth 25% në total, pra, 100 euro të vitit 2021, sot e kanë vlerën e 70 euro. Çka ke ble me 100 euro, sot e blen me 70, pra një inflacion i paparë për këto vitet e fundit. Problemi kryesor është se Qeveria aktuale nuk është marrë fare me këtë pjesë. Ne do të punojmë në disa drejtime që me sulmu inflacionin”, tha Zogaj.

Zogaj ka theksuar se një ndryshim i tillë është i nevojshëm për t’i dhënë fund krizës ekonomike dhe për të krijuar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të investimeve në sektorin privat.

“Ne e kemi premtuar që në javën e parë do të rrisim koeficietin në 150 euro, pagat duhet të jenë në paralele me ngritjen e çmimeve, pastaj do të ulim TVSH-në. Duhet të kemi një komunikim me sektorin privat, në mënyrë që ky i fundit ta përcjellë sektorin publik”, thotë ai.

“Ne menjëherë do t’i ulim çmimet dhe do t’i ngrisim pagat. Buxheti mundet me u ulë, por ne duhet ta rrisim përmes anëve të tjera, me zhvillim ekonomik, investime, jo përmes TVSH-së, sepse është vetëm një pjesë e rritjes së buxhetit”, përfundon Zogaj.