Lajme

ZKA s’heq dorë nga auditimi i gjykatave, vlerësohet tentim për ndërhyrje në drejtësi

By GAZETA SCANNER 1

August 05, 2024

10 rekomandime për Gjykatat Themelore në Kosovë e Këshillin Gjyqësor, kishin dalë më 2017, pas auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile.

7 vite pas, Zyra Kombëtare e Auditimit është duke kërkuar që të bëjë auditim përcjellës, për të parë se deri në cilën masë janë zbatuar rekomandimet e atëhershme.

Pavarësisht se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka marr vendim që një gjë e tillë të mos lejohet, nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë thënë se ky vendim , bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ligjore për mandatin e këtij institucioni.

“Për informimin tuaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ishte pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditimit “Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore” i publikuar në vitin 2017. Ndërsa për auditimin përcjellës i cili ka për objektivë të vlerësojë se deri në çfarë mase janë zbatuar rekomandimet e dhëna në këtë raport, KGJK-ja ka nxjerrë një vendim i cili nuk lejon kryerjen e auditimit përcjellës. Ky vendim po ashtu kufizon fushëveprimin e auditimit dhe bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ligjore për mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Përpjekjet për të ndërhyrë në zbatimin e mandatit kushtetues e ligjor të ZKA-së dhe për të penguar procesin e auditimit, jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë dhe do t’i adresojmë në institucionet përgjegjëse në Kosovë dhe jashtë vendit, ku Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës është pjesë e tyre. Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar për të zbatuar mandatin e saj në pajtim me Kushtetutën, Ligjin dhe standardet ndërkombëtare të auditimit si dhe do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur nga çdo organ apo autoritet tjetër,” thuhet nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Por një insistim të tillë të Zyrës Kombëtare të Auditimit, po shihet si një ndërhyrje në drejtësi.

Ish sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari thotë se vetëm KGJK-ja është përgjegjëse për të inspektuar punën e Gjykatave.

“Auditori i përgjithshëm i Kosovës është institucioni më i lartë për vlerësimin përkatësiisht kontrollit financiar dhe ekonomik të organizatave bugjetore, ndërsa Këshilli Gjyqësor është organi më i lartë merret me administrimine  Gjykatave dhe është përgjegjës që puna e tyre të kryhet në mënyre të paanshme, të pavarur dhe të pandikuar,” tha Ardian Bajraktari – Ish sekretar në MD

“Për bindjen tonë paraqet tentativvë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, edhe kjo nuk është e vetmja që është shqetësuese por është edhe për faktin se nuk kanë përgaditje profesionale dhe përgaditjen e duhur për të vlersuar asnjë lëndë gjyqësore,” tha Florim Shefqeti – Avokat

Pas kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditorit që të bëhet një raport auditimi për efikasitetin e lëndëve civile nëpër Gjykata themelore, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mënyrë unanime vendosi që të nxjerr një vendim me të cilin refuzohet një gjë e tillë, me arsyetimin se paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. /TV Dukagjini/