Lajme

ZKA insiston për auditim në gjykata, mori mendim nga një OJQ e huaj, KGjK s’ndërron qëndrim

By GAZETA SCANNER 1

October 20, 2024

Ashtu edhe siç paralajmëruan muaj më parë, Zyra Kombëtare e Auditimit i është drejtuar një iniciative që aktivitetin e zhvillon jashtë Kosovës, për moslejimin e auditimit të gjykatave themelore për efikasitetin e lëndëve civile.

ZKA njoftoi se ka pranuar përgjigje nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI), e cila i ka dhënë të drejtë kryerjes së auditimit të tillë, që ishte refuzuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

 “Pas shqyrtimit të neneve përkatëse të Kushtetutës së Kosovës (nenet 136,137,138); të Ligjit nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës; si dhe faktit se një auditim i mëparshëm i është bërë të njëjtit entitet në vitin 2017, konsiderojmë se kryerja e një auditimi të tillë është brenda mandatit të ZKA-së.”– Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t

Kjo organizatë ndërkombëtare që merret me mbikëqyrjen e organeve të auditimit, ka vlerësuar se moslejimi i auditimit, sfidon edhe pavarësinë e ZKA-së.

Në lidhje me këtë kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj përmes telefonit ka thënë se nuk kanë asgjë tjetër se çfarë të shtojnë në lidhje me këtë temë përveç vendimit, i cili është ende në fuqi dhe që ndalon auditimin në Gjykata Themelore për trajtimin e lëndëve civile.

Por, organizata joqeveritare vendore e thonë të kundërtën e asaj ndërkombëtare.

“Insistimi i saj për të bërë kontrollin në sistemin gjyqësor sa i përket lëndëve civile, është i paarsyeshëm është i pakuptueshëm për shkak se në praktikë do të jetë e paqartë se si mund të bëhet kjo, dhe në fakt nuk mund të behet sepse këto të dya institucione janë të pavarura krejtësisht në ushtrimin e kompetencave të tyre, KGJK-ja është i thirrur për të mbikqyrur punën e gjykatave, ashtu sikur është edhe KPK-ja, andaj ndërhyrja e Zyrës Kombëtare të Auditimit është e panevojshme dhe e paqëndrueshme”, ka thënë Viona Bunjaku – Lëvizja FOL.

Muaj më parë, Këshilli Gjyqësor i refuzoi ZKA-së kërkesën që të kryej një auditim përcjellës të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”, për të parë se deri ku ka arritur zbatimi i rekomandimeve që ishin dhënë në vitin 2017.