Lajme

Zijadin Sela: Deklarata e Kurtit për gjuhën shqipe është skandaloze

By GAZETA SCANNER 1

November 19, 2024

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela, e vlerësoi si skandaloze paraqitjen e dy kryeministrave pas mbledhjes së përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut. Ai veçoi deklaratën e kryeministrit Kurti për gjuhën shqipe, për të cilën tha se “e ktheu në një kohë kur kryefjala e lajmeve ishte irredentizmi, nacionalizmi, separatizmi shqiptar”.

“E tillë më ngjau deklarimi i Kurtit në lidhje me gjuhën shqipe në Maqedoni, kur ai tha një të pavërtetë të madhe, ku kundërshtoi gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut”, tha Sela në RTK.

Ai tha se VMRO-DPMNE po përpiqet që përmes Gjykatës Kushtetuese ta minojë çdo të arritur gjatë këtyre dy dekadave, pas nënshkrimit të ‘Marrëveshjes së Ohrit’, që ta zbatojë programin e partisë të cilën e ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore atje.

“Botërisht është e ditur se ata kanë premtuar se do të heqin ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, do të heqin të ashtuquajturin ‘balancuesin’, që ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por edhe parimin e votimit të dyfishtë”, qartësoi Sela, teksa shtoi se kjo shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i kthen prapa në pozicionin juridiko-kushtetues, në vitet e ’90-ta.

“Është shqetësuese e skandaloze, deklarata e zotit Kurti, për shkak se këtu brenda jemi mësuar që të dëgjojmë faktorin politik shqiptar, duke relativizuar të keqen dhe gjëmën që po u bëhet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por realisht për mua s’ka qenë aspak e pritshme se si pjesë e korit kakofonik relativizues do të bëhet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, tha Sela.

Ai më tej shtoi se pritjet e tij ishin që kryeministri Kurti të ngre shqetësimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për shkeljen e të drejtës së votës së shqiptarëve, që sipas tij, ka të bëjë me legjitimitetin dhe sovranitetin.

Gjithashtu ai tha se pritjet e tij ishin që Kurti t’i bënte presion kryeministrit Mickoski për mos-suspendimin e ca neneve që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve.

Sipas Seles, institucionet e Kosovës është e nevojshme që të informohen për situatën dhe gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.