Lajme

Zhvillimet brenda Komunës së Prishtinës, Zogaj mohon se ka mospajtime brenda koalicionit qeverisës LDK-PDK

By GAZETA SCANNER 1

June 11, 2023

Zhvillime të shumta ka pasur gjatë kësaj jave në Komunën e Prishtinës. Partitë opozitare VV, AAK, Nisma dhe AKR në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të enjten shkarkuan 20 aksionarë të 10 ndërmarrjeve publike komunale.

Pas shkarkimit të tyre menjëherë u emëruan aksionarët e rinj, nga katër subjektet opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Në media është përfol që thirrja e kësaj seance ka të bëjë me një prishje të mundshme të koalicionit LDK-PDK në Prishtinës.

Shef i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ditë më parë tha për Telegrafin se kjo është tentim për kapje të ndërmarrjeve publike nga opozita.

Ndërkaq për aludimet se ka mospajtime brenda koalicionit, Retkoceri u përgjigj që “asgjë s’ka të bëjë me PDK-në, kjo është e tëra që mund të them.

Për një prishje të mundshme të koalicionit LDK-PDK në Prishtinë, Telegrafi ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e Prishtinës nga radhët e LDK-së, Alban Zogaj.

Ai ka mohuar se ka diçka të tillë. “S’ka asgjë të vërtetë në këto spekulime”, ka thënë shkurt Zogaj.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës e cila u mbajt të enjten, kryesuesi i Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së, Fehmi Kupina njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Ai është deklaruar kryesues i pavarur.

“Unë jam anëtar i pavarur i kryeqytetit dhe nuk do ti përkas asnjë partie apo grupi politik. Mandatin tim si kryesues i Kuvendit dhe si anëtar i pavarur do ta ushtroj në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe do të jem besnik i secilit votues dhe qytetari të Prishtinës”, ka thënë Kupina.

Kujtojmë se PDK në këtë koalicion qeveritar erdhi pas një rezultati befasisht të mirë në zgjedhjet e 31 tetorit 2021 për asamble komunale.

Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, ose vetëm pesë më pak se LDK-ja.