Lajme

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në vitin 2025, Kurti me terma sportiv: Ta fitojmë kampionatin edhe kupën

By GAZETA SCANNER 1

June 17, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njëheri kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kjo parti duhet t’i fitojë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare që do të mbahen në vitin 2025.

Ai duke përmendur fillimin e kampionatit evropian të futbollit, ka folur më terma sportiv, duke thënë se LVV duhet ta fitojë edhe titullin e kampionit por edhe kupën.

Kurti në fjalimin e tij në takimin me strukturat e Vetëvendosjes të mbajtur në kuadër të shënimit të 19 vjetorit të kësaj lëvizje, ka thënë se opozita nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet parlamentare në pafundësi.

“Të dashur aktivistë e miq të Lëvizjes, në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveçse do ta kremtojmë 20 vjetorin e Lëvizje VETËVENDOSJE!, por patjetër do t’i kemi edhe ato parlamentare meqë opozita nuk mund t’i shtyjë ato pafundësisht. Meqë tash jemi në periudhën e emocioneve futbollistike, dhe të gjithë po shohim me shumë kënaqësi Shqipërinë tonë që i urojmë fitore në Gjermani, më lejoni ta marr një shembull nga futbolli edhe për zgjedhjet që do të jenë në vitin 2025. Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen “Ballkan”-in e Suharekës. Le ta fitojë VETËVENDOSJE! në 2025, edhe kampionatin edhe kupën. Kjo kërkon të jemi të gatshëm dhe të përshtatshëm, të guximshëm dhe të disiplinuar, për lojë ekipore, por edhe për shkëlqim individual. Jam i sigurt që bashkë me ju, do t´ia dalim. Kosova ka nevojë për zhvillim e ndryshim sa më të shpejtë, për sovranitet e demokraci sa më të fortë, për identitet e bashkim sa më të madh, dhe këtë mision do ta realizojmë vetëm së bashku, me nder e punë, gjithnjë, kudo, të gjithë ne”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij.

Kurti duke përmendur aktivitetet që ka bërë kjo parti ndër vite, ka folur edhe për qeverisjen katër vjeçare nga LVV-ja.

Ai ka thënë se janë shënuar suksese në shtrirjen e sovranitetit, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, dhe afrimin drejt NATO-s e BE-së,

“Sivjet jemi në vitin e fundit të mandatit të qeverisjes sonë. Sukseset e shumta të qeverisë sonë, në shtrirjen e sovranitetit dhe në luftimin e krimit e të korrupsionit, në përmirësimin e standardeve financiare dhe ekonomike, në krijimin e hapësirave për investime e biznes, në përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, energjetike, shëndetësore, shkollore, në rritjen e madhe të ndihmës për të gjitha kategoritë shoqërore, në avancimet diplomatike drejt NATO-s, BE-së dhe KE-së, kanë marrë vlerësimin e popullsisë mbarë, por edhe të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.