Lajme

Zëvendësministri i Drejtësisë: Largime nga burgu i tipit të hapur ka pasur edhe më herët, mund të ketë edhe në vazhdimësi

By GAZETA SCANNER 1

July 13, 2024

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në një konferencë për media ka folur në lidhje me dy “largimet” e fundit, siç i quan ai, nga qendrat korrektuese të tipit të hapur.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se “pavarësisht punës së tyre e të arriturave që kanë pasur”, dy të burgosur janë larguar.

“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta.

Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.” – tha ai.

Sallahu tutje është shprehur si vijon:

“Të burgosurit që kalojnë në tipin e hapur, u nënshtrohen trajnimeve, kanë të drejtën e punëss, mund të angazhohen në punë edhe jashtë shërbimit korrektues, pa mbikqyrje, pasi personi i dënuar gjendet në fazën më të avancuar të vuajtjes së dënimit. Të njëjtit, me kapjen nga institucionet e drejtësisë, humbin privilegjet, dhe kthehen në tipin e mbyllur.”

Në fund, ai ka thënë se largime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, dhe se mund të ketë sërish.

“Është me rëndësi se largime nga qëndrat e tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën, e mund të ketë edhe në vazhdimësi pasi këto institucione nuk u nënshtrohen masave të larta të sigurisë pasi është realizimi i programeve avancuese ndaj të të burgosurve.” – u shpreh Sallahu.