Lajme

Zëri i Amerikës: Veriu i Shqipërisë, zona ku është më i përhapur fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike

By GAZETA SCANNER 1

July 13, 2024

Dhjetëra forca policie, të mbështetura me helikoterë dhe dronë, i drejtohen thuajse çdo ditë zonës malore në veri të Shqipërisë, ku fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike është më i përhapur.

Operacionet e koduara policore “Alpe të pastra” dhe “Territor i pastër” zhvillohen prej disa muajsh në këtë zonë ku, që nga fillimi i vitit, janë zbuluar dhe asgjësuar më shumë se 160 mijë fidanë dhe bimë narkotike, të dyshuara si cannabis sativa.

Por kjo sasi mendohet se është vetëm një pjesë e asaj çfarë gjendet e kultivuar në terren. Për nga numri i bimëve të asgjësuara, Qarku i Shkodrës me 5 bashkitë e tij qëndron në krye të hartës së kultivmit të bimëve narkotike në Shqipëri.

Vetëm në dy javët e fundit policia asgjësoi me djegje rreth 50 mijë bimë narkotike, të shpërndara në parcela të vogla, në zona të thella malore dhe të pabanuara, ku edhe forcat e policisë vendore e kanë thuajse të pamundur të kontrollojnë territorin.

Parcelat më të shumta me bimë narkotike janë zbuluar në zonën e Dukagjinit, të Bashkisë së Shkodrës, në njësitë administrative malore të Shalës, Shoshit, Pultit dhe Temalit.

Prej thuajse 30 vitesh kjo është edhe zona ku vazhdimisht janë përqendruar operacionet policore anticannabis, por pa mundur të ndalojnë fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë zonë jeton një popullsi e pakët, për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shpërnguljes së një numri të madh të familjeve drejt zonave urbane. Kjo ka favorizuar grupet kriminale që të shfrytëzojnë territorin për kultivimin e cannabisit.

Operacionet e policisë “Alpe të pastra” dhe “Territor i pastër” i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme grupeve kriminale që ushtrojnë kultivimin e bimëve narkotike, çka ka sjellë edhe reagimin e tyre. Të paktën 7 raste te vendosjes së lëndëve shpërthyese pranë banesave të punonjësve të policisë së Shkodrës si dhe vendosja e lëndës shpërthyese në banesën e një gjyqtari, dyshohet se janë pjesë e reagimit të individëve dhe grupeve kriminale ndaj asgjësimit të parcelave të drogës./Voa/