Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij mund t’i ndalojë forcat ruse të përparojnë në lindje, nëse aleatët i rrisin furnizimet me armë.
Ai i bëri këto komente në një konferencë për media në Kiev, së bashku me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Rusia ka shënuar fitore të vogla territoriale, por të qëndrueshme, në lindje të Ukrainës, që nga fillimi i këtij viti.
“Ne po bëjmë presion maksimal mbi partnerët tanë për t’i shtuar dërgesat e armëve”, tha Zelensky.
“Nëse ato rriten, ne do të jemi në gjendje t’i ndalojmë [forcat ruse] në lindje”, shtoi ai.
Në fund të prillit, trupat ukrainase u tërhoqën nga tri fshatra lindore dhe udhëheqësit ushtarakë thanë se situata në front është përkeqësuar.
Vendimi i SHBA-së, muajin e kaluar, për të miratuar një ligj për ndihma ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej mbi 60 miliardë dollarësh, u mirëprit nga Kievi.
Megjithatë, shumë njësi ushtarake raportohet se nuk kanë marrë ende armë të reja.
Zelensky tha se rritja e prodhimit vendas të dronëve dhe predhave të artilerisë, e ka ndihmuar Ukrainën në betejën e saj kundër sulmeve të vazhdueshme ruse.
Por, ai pranoi nevojën e Ukrainës për më shumë trupa, duke thënë se mungesa e forcave është duke krijuar një “situatë të vështirë” pranë Avdivkës – një qytet që ka rënë tashmë nën kontrollin rus – dhe Pokrovskut, i cili është ende në duart e Ukrainës.
Rusia ka nisur pushtimn në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /REL