Lajme

Zelensky: Kundërofensiva po përparon pavarësisht gjithçkaje

By GAZETA SCANNER 1

September 02, 2023

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se kundërofensiva e Ukrainës po përparon, pasi Kievi bëri disa përparime për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Zelensky po përpiqet që të ndryshojë narrativen e krijuar se kundërofensiva verore e Ukrainës ka dhënë deri më sot rezultate më të dobëta sesa pritej.

“Forcat ukrainase po ecin përpara. Pavarësisht gjithçkaje dhe pa marrë parasysh se çfarë thotë dikush, ne po përparojmë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne jemi në lëvizje”, tha Zelenksy, shkruan CNN.

Kujtojmë se pas shumë pritjesh, kundërofensiva ukrainase nisi në mes të qershorit, megjithatë, marrja e territoreve u bë me shumë vështirësi, ndonëse nuk ka pasur vendbanime të mëdha pasi trupat e Kievit hasën në trupa ruse të organizuara mirë.

Ditët e fundit, ushtria ukrainase ka shënuar fitore në rajonin juglindor të Zaporizhzhia, ku këtë javë ka depërtuar në vijën e parë të mbrojtjes ruse.