Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i është drejtuar me një mesazh BE-së, duke thënë se qielli i vendit të tij meriton të njëjtën siguri si Izraeli. Ky koment vjen pas sulmit të Iranit me mbi 300 dronë dhe raketa drejt Izraelit, një pjesë e të cilave u rrëzuan nga SHBA dhe Britania.
“Këtu në Ukrainë, në pjesën tonë të Evropës, për fat të keq nuk kemi nivelin e mbrojtjes që pamë të gjithë në Lindjen e Mesme disa ditë më parë. Kur, falë forcës së kombinuar të aleatëve, pothuajse të gjitha raketat sulmuese dhe dronët u rrëzuan.
Ne jemi ende të bindur se është e nevojshme të mbrohet Evropa nga raketat balistike dhe “Shaheds”, nga raketat e lundrimit dhe bombat, siç ndodhi në qiellin e Izraelit dhe vendet e tjera të rajonit.
Qielli ukrainas dhe i fqinjëve tanë meriton të njëjtën siguri. Falënderoj të gjithë ata që e perceptojnë nevojën tonë për siguri edhe si nevojë për siguri të barabartë për të gjithë, sepse të gjitha jetët kanë të njëjtën vlerë”, u shpreh Zelensky.