Lajme

Zëdhënëspresidenti i OSBE-së: Pati shumë dhunë në veri, nevojitet depërshkallëzimi

By GAZETA SCANNER 1

May 31, 2023

Pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, Përfaqësuesi Special i Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së për Evropën Juglindore, Michael Link (deputet i Gjermanisë), dënoi ashpër dhunën që u përdor kundër qytetarëve, mediave, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe paqeruajtësve të KFOR-it në veri të vendit.

Link tha se dy muaj më parë kishte mirëpritur marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tani po ndodhin “skena të pakëndshme në rrugët e veriut të Kosovës”.

“Dy muaj më parë, mirëprita progresin që u arrit në takimin e nivelit të lartë në Ohër në bisedimet Beograd-Prishtinë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por fatkeqësisht këto ditë mund të shohim skena të pakëndshme në rrugët e veriut të Kosovës”.

“E drejta themelore për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe pa ushtruar dhunë ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit, të cilat nga ana e tyre nuk duhet të përdorin forcë të tepruar. Media duhet të jetë në gjendje të raportojë në mënyrë të papenguar”, tha Link.

Link, i cili shërben edhe si Zëvendës-President i AP të OSBE-së, u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në ngjarjet e fundit të punojnë për de-përshkallëzimin, duke theksuar se kishte mjaft dhunë.

“Plani i rënë dakord gjermano-francez dhe aneksi i tij i rënë dakord në Ohër duhet të marrë formën e tij përfundimtare në tryezën e negociatave të lehtësuara nga BE-ja”, tha ai.

OSBE dhe Asambleja e saj Parlamentare mbështesin përpjekjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në arritjen e përparimit në reformat dhe demokratizimin, theksoi Përfaqësuesi Special.