Ballina

Zëdhënësi i Qeverisë për raportin e DASh dhe FH: S’ka më korrupsion “endemik” e të “shfrenuar”

By GAZETA SCANNER 1

April 27, 2024

Javën që po e lëmë pas, u publikuan dy raporte ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut në Kosovë.

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për të Drejtat e Njeriut, tha se ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera,.

Ndërkaq, të mërkurën, edhe organizata Freedom House publikoi raportin për Kosovën duke vlerësuar se ky vend vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nuk ka shënuar përparim, në veçanti në çrrënjosjen e korrupsionit dhe ndikimin politik në institucionet e drejtësisë.

Raporti i FH për gjendjen e demokracisë në Kosovë ngre shqetësime edhe për lirinë dhe pavarësinë e mediave, si dhe përdorimin e dhunës, duke marrë për bazë trazirat në pjesën veriore të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të prillit 2023 dhe sulmin e grupit të armatosur serb në fshatin Banjskë, në të cilin u vra një polic i Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për DW, u shpreh i “çuditur” me raportin e DASh-it, duke thënë se po të citoheshin raportet e FH dhe të Transparency International, “do të duhej të lëvdohej Kosova”.

Në linjë me shefin e tij u shfaq edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili bëri krahasime me raportet të viteve të mëparshme të DASh-it dhe të “Freedom House”, teksa problemet e shpërfaqura në raport i quan “të trashëguara”.

“Raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe organizatës ndërkombëtare Freedom House që u publikuan së fundmi, në fakt vënë në pah një problem që është trashëguar ndër vite. E megjithatë në të dy raportet, mund të vërehet përmirësim e progres në drejtim të luftimit të korrupsionit”, thotë ndër të tjera Kryeziu në një postim në Facebook.

“Për shembull në raportet e DASh-it në vitet e mëparshme, për përshkrimin e korrupsionit në qeveri përdoreshin shprehje si ‘korrupsion endemik’ (këtë e gjeni në raportet për vitet 2016, 2017 e 2018) dhe ‘korrupsion i përhapur’ (në raportin e vitit 2014), që tregojnë një shkallë të lartë të korrupsionit qeveritar. Shprehje si këto nuk i gjeni në raportin e këtij viti dhe atij të kaluar. Madje në raportin e fundit theksohet se qeveria ka ndërmarrë hapa të besueshëm për të hetuar e ndëshkuar zyrtarë që mund të kenë kryer abuzime apo keqpërdorime. Ju rikujtojmë që gjatë qeverisë sonë qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme”, thotë më tej zëdhënësi i qeverisë.

Ngjashëm, sipas tij, është gjendja edhe në raportet e organizatës Freedom House. “Për shembull, në vitin 2018 kjo organizatë përdorte shprehjen ‘i shfrenuar’ kur flet për korrupsionin. Njësoj e përshkruan situatën edhe për vitin 2018, 2017 e 2016. Përsëri shprehje të tilla nuk i gjeni në raportin e kësaj organizate për vitin e kaluar. Madje aty theksohet se përkundër trashëgimisë, ka një brez të ri politikanësh të vullnetshëm për t’u përballur me praktikat e korruptuara nëpërmjet reformave gjyqësore dhe administrative. Pra ka dallim, ka përmirësim”.

E për të luftuar korrupsionin në mënyrë të efektshme, Kryeziu thotë se sistemit të drejtësisë i duhet një vetting, pasi, siç thotë ai, “të njëjtat raporte, pra të DASh-it dhe të Freedom House flasin pikërisht për sistemin jo efikas të drejtësisë dhe të korruptuar si pjesë e problemit”.

“Luftimi i korrupsionit, sidomos në institucione, duhet të jetë synim i përbashkët. Po, qeveria duhet të luaj një rol udhëheqës dhe shembullor, por janë institucionet tjera, ato të hetimit dhe të drejtësisë të cilat e bëjnë përfundimisht të mundur luftën e suksesshme ndaj korrupsionit. Sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit mbeten çështje qendrore të angazhimit tonë. Janë beteja tona të vazhdueshme”, përfundoi Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.