Njeriu i momentit, talenti i pazbuluar i kombëtares shqiptare Jasir Asani është rrëfyer për gjithçka në një intervistë për “Më Lër të Flas”.
Asani ka treguar si nisi gjithçka në lidhje me futbollin.
“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në një ekip profesionist. Dhe babai ka bërë gjithçka për këtë. Unë kam një motër dhe një vëlla, por jetojmë bashkë 17-18 veta. Babi më ka thënë mos u dorëzo kurrë. Çdo gjë e bëj për familjen. Edhe pagesën që marr ia nisi të gjitha babait se ai ka bërë çdo gjë.
Që në moshën 6-vjeçare kam nisur të luaj, sepse edhe babai im lunate me Maqedoninë. E ka pasur shumë qejf futbollin dhe ka qenë mbrojtës i djathtë. Pra nga babi e kam trashëguar pasionin për futbollin”.
Jasiri i emocionuar tregoi edhe vështirësitë që ka kaluar për të mos hequr dorë nga ëndrra e tij.
“Ka qenë shumë e vështirë të ndiqja ëndrrën se vetëm babai punonte në familje dhe në Maqedoni rrogat nuk ishin të larta që të plotësonte dëshirat e të gjithëve.”
Duke qenë se futbollisti është shqiptar i Shkupit, përse ka zgjedhur të jetë pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit?
“Kur kam qenë 17 vjeç, kemi qenë në përgatitje me grupin dhe unë kam qenë pjesë e Maqedonisë. Më pas, më marrin në telefon nga Federata Shqiptare e Futbollit për të qenë pjesë e ekipit. Dhe direkt erdha. Nuk e kam menduar asnjë sekondë. Unë kam pritur që të jem pjesë rreth 7 vite, edhe pse kam pasur mundësi që të jem pjesë e ekipit maqedonas.”
Prej javësh është në qendër të vëmendjes. Si po e përballon ai këtë gjë?
“Është mirë të jesh i famshëm, por ndonjëherë është edhe më mirë të jesh privat. Privatësia më pëlqen më shumë”, u shpreh futbollisti.
Pas performancës së tij të shkëlqyer në kualifikueset e Euro 2024, a ka ndonjë marrëveshje për të kaluar në Europë?
Marrëveshjet nuk është se janë të përfunduara, por janë 6-7 ekipe. Janë shumë ekipe të mira. Janë në Gjermani, Itali, Spanjë e Saudi.