Lajme

Ymeri thotë se për “faj” të Kurtit drafti i Asociacionit duhet të dërgohet në Kushtetuese

By GAZETA SCANNER 1

April 18, 2024

Mosmbajtja e zotimeve të kryeministrit, Albin Kurti, ndaj bashkësisë ndërkombëtare është shkaku që draft-statuti i Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese para votimit në Këshill të Ministrave të Këshillit të Evropës ka pohuar njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri.

Të martën e 16 prillit shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në KiE. Pas këtij triumfi në Asamble, çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës.

Por, sipas Ymerit, që Kosova të ketë mundësi të jetë në rend dite në Këshill të Ministrave në maj, duhet të merret një vendim nga Qeveria për Asociacionin.

“Është për shkak të mos mbajtës zotimeve që u ka dhënë diplomatëve ndërkombëtarë Kurti dhe përfaqësuesve të BE-së. Këtë radhë nuk mundet që t’i besojnë fjalës së Kurtit meqë fjalë të tilla kanë dëgjuar. Kemi pasur Macron vitin e kaluar që ka thënë nuk i kanë mbajtur zotimeve që i kanë dhënë”, ka thënë Ymeri në “Debat Plus”.

Ymeri ka thënë se deri më 10 maj pritet të dërgohet në Kushtetuese, draft-statuti i Asociacionit.

“Lëvizja në ketë drejtim nuk është me themelu Asociacionin, është me e dërgu në draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Ky është hapi që po i kërkohet Kosovës tash para votës në maj të Këshilli të Ministrave. Deri më 10 maj pritet që u vendim me u marr në Qeverinë e Kosovës dhe me u dërgu në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë drejtim pak a shumë që para votës në Këshill të Ministrave Kosovës do ti kërkohej kjo. Dhe ka shumë gjasa që shumtë shtetet që  kanë njohur Kosovë, si Franca e Italia e kanë kushtëzuar votën me dërgim të draft-statutit. Nesër kjo nuk ndodhë gjasat janë që të shtyhet votimi për një moment tjetër. Nuk do ta vendosin raportin në votim se nuk i kanë votat e sigurta që 31 shtete duhet me votu në favor të Kosovës, prej 46 sa janë aty…”, ka shtuar Ymeri.