Analisti Visar Ymeri, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk mund të quhet tradhtar nëse konsiderohet njëkohësisht kryeministër i një vendi fqinj, i cili nuk ka dhënë asnjë zotim për ta mbrojtur Kosovën.
Në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se Edi Rama nuk i ka ngul thikën pas shpinës Kosovës.
“Nuk mund ta quash Edi Ramën tradhtar nëse e konsideron njëkohësisht që ai është kryeministër i një vendi fqinj, dhe meqë është kryeministër i një vendi fqinj ai nuk ka dhënë kurrfarë zotimi për ta mbrojtur shtetin tënd, ai ka të drejtë të propozojë dokumente, nëse do ta marrësh merre, nëse jo mos e merr. Edi Rama nuk i ka ngul thikë pas shpinës Kosovës, nëse Zajdenica ose Asociacioni qenka thikë pas shpine, së pari e ka bërë Hashim Thaçi, pastaj Isa Mustafa dhe i treti Albin Kurti”, u shpreh Ymeri.
Siç thotë Ymeri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me pranimin e pikës 7 të marrëveshjes, ka pranuar që do të ketë Asociacion i cili bazohet në marrëveshjet paraprake për të cilat ndërmjetësuesi thotë se janë relevante.
“Albin Kurti ka pranuar që ne do të bëjmë Asociacion. Kemi një kryeministër që për mua fatmirësisht ndërhyri në proces në të cilin deri më tani e kishim veç një dokument, dokumenti i përpiluar nga ekipi menaxhues i cili udhëhiqet nga deputetja e Aleksandër Vuçiqit”.
Megjithatë, Ymeri është shprehur pro draftit të Asociacionit, por në rast se përmbajtja e të njëjtit nuk i përshtatet Kosovës, të mos pranohet.
“Jam plotësisht dakord që nëse përmbajtja e dokumentit nuk i përshtatet Kosovës ne atij i themi nuk na duhet asgjë. Refuzimi apriori ndaj këtij dokumenti për mua është problematike sepse në fund të fundit e kemi tash prej shqiptarëve vetëm një njeri që e ka marrë guximin të dalë dhe të propozojë diçka për Asociacionin. Krejt të tjerët në Kosovë, heshtin”.