Lajme

Ymeri: Mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte dështim i Qeverisë

By GAZETA SCANNER 1

May 06, 2024

Analisti Visar Ymeri ka fajësuar sjelljen e kryeministrit Kurti në raport me ndërkombëtarët në lidhje me çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshill të Evropës dhe Asociacionin si parakusht të shumicës së shteteve perëndimore para votimit të Komitetit të Ministrave më 17 maj ku do të vendoset nëse Kosova do të pranohet ose jo në KiE.

Ai ka thënë se në rast të dështimit për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, dështimi do të jetë i kryeministrit Kurti.

“Po shihet që është kusht. Vetëm nëse ndërron këto ditë që kanë mbet. I kemi foli disa herë arsyet pse. Unë mendoj që në njërën anë është mungesa e kredibilitetit të zotit Kurti duke u thënë herë ‘po’ herë ‘jo’ ndërkombëtarëve. Pra, ti bëhesh i pa besueshëm. Kjo sjellje në arenën ndërkombëtare natyrisht që të ndëshkon. Ndëshkohet fatkeqësisht edhe Kosova. E dyta është që mos-pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë. Edhe tash po e humbim garën me shtetet njohëse.” – tha ai.