Sport

Xhaka e zbulon arsyen se përse i tha “jo” Romës së Mourinhos

By GAZETA SCANNER 1

July 20, 2022

Granit Xhaka ishte disa herë pranë largimit nga Arsenali në vitet e fundit.

Mesfushori kosovar po mendonte të transferohej në Romë, aty ku e donte me ngulm trajneri Jose Mourinho.

Por, në fund përfaqësuesi zviceran vendosi të qëndrojë në Londër.

Në një intervistë dhënë për “ESPN”, ish-futbollisti i Baselit dhe i Borussia Monchengladbachut ka treguar se trajneri Mikel Arteta e kishte luajtur rolin kryesor në vendimin e tij për të qëndruar në “Emirates Stadium”.

“Pa të, nuk do të isha më në këtë klub. Më ka ndihmuar shumë kur isha përtoke. Më ka lënë anash për një kohë, e hap pas hapi ma ka dhënë një dorë dhe më ka afruar me tifozët. Kam punuar me shumë trajnerë, por më duhet ta them se Mikel është njëri prej më të mirëve që e kam pasur”, ka thënë Xhaka.

Ai foli edhe më saktësisht për mundësitë që i kishte për t’iu bashkuar “Giallorossi” në të kaluarën.

“Po, kishte diçka. Isha shumë afër. Nuk është bërë asgjë sepse trajneri Arteta dhe drejtori teknik Edu nuk më kanë lënë të largohem. Dëshironin që unë të qëndroja këtu”, përfundoi Xhaka.

Futbollisti kosovar ka qenë lojtar i rëndësishëm i “Gunners” në vitet e fundit, edhe pse forma e tij ka pasur luhatje kohë pas kohe.