Manchester Unitedi ka pësuar humbjen e radhës. Kësaj radhe Djajtë e Kuq u mposhtën 2:0 nga Wolverhampton.
Ndonëse Wolves është në pjesën e fundit të tabelës në Premierligë, ata arritën të shkaktonin shumë probleme për skuadrën e Ruben Amorim.
45 minutat e pjesës së parë përfunduan pa gola në Molineux Stadium, edhe pse të dyja skuadrat krijuan raste të mira shënimi.
Me të filluar pjesa e dytë, Bruno Fernandes, e mori kartonin e dytë të verdhë, për t’u përjashtuar nga ndeshja dhe nga ai moment çdo gjë shkoi keq e më keq për Djajtë e Kuq.
Fillimisht vendasit shënuan gol në minutën e 49-të, por VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje.
Pak minuta më vonë, saktësisht në minutën e 58-të, Matheus Cunha, realizoi për 1:0.
Ujqërit shënuan edhe një herë deri në vërshëllimen e fundit. Kësaj radhe Cunha asistoi, ndërsa për 2:0 shënoi Hwang Hee-Chan, në minutën e nëntë shtesë.
Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe tani Manchester Unitedi zë vendin e 14-të në Premierligë, me 22 pikë pas 18 xhirove.
Kjo është humbja e katërt në elitën e futbollit anglez në pesë paraqitjet e fundit.
Që nga ardhja e Amorim, Manchester Unitedi në Premierligë ka katër humbje, dy fitore dhe një barazim.