Botë

“Washington Post”: Netanyahu i ka dhënë një premtim Bidenit rreth Iranit

By GAZETA SCANNER 1

October 15, 2024

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë presidentit amerikan, Joe Biden, se hakmarrja e Izraelit kundër Iranit për sulmin me raketa balistike nuk do të përfshijë sulme ndaj qendrave joushtarake, sipas një raporti të gazetës “The Washington Post”, ku lihet të kuptohet se Netanyahu e kishte zvogëluar veprimin e planifikuar për ta shmangur ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Gazeta e njohur amerikane, duke cituar dy zyrtarë të afërt me çështjen, përfshirë një të identifikuar si zyrtar amerikan, e theksoi qëndrimin e zbutur të kryeministrit izraelit si faktor kyç në vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore në Izrael.

Në një bisedë telefonike rreth planeve të Izraelit për 8 tetorin, Netanyahu i tha Bidenit se Izraeli ishte duke planifikuar që ta kufizonte sulmin ndaj Iranit vetëm në qendra ushtarake.

Më parë ishte menduar se Izraeli ishte duke shqyrtuar sulme ndaj infrastrukturës së naftës ose qendrave bërthamore të Iranit, por të dyja ishin kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të rrezikut që luftimet të eskalojnë, përfshirë hakmarrjen e Iranit drejtuar infrastrukturës civile në Izrael ose në shtete të tjera rajonale të rreshtuara me Perëndimin.

Sipas një zyrtari të cituar në raportimin e gazetës, hakmarrja e Izraelit do të jetë e dizajnuar për ta shmangur “ndërhyrjen politike në zgjedhjet amerikane”.

Një sulm ndaj infrastrukturës së naftës do të mund të çonte në çmime më të larta të naftës, ndërsa një sulm ndaj një qendre bërthamore mund t’i zgjerojë luftimet dhe mund t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara në konflikt. Votuesit amerikanë, të pakënaqur me këto rezultate, do të mund ta dëmtonin kandidaten demokrate për presidente të ShBA-së, Kamala Harris, ndërsa do të mund ta ndihmonin rivalin e saj republikan, Donald Trump.

Shtetet e Gjirit Persik kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që ta ndalojë Izraelin nga sulmi ndaj qendrave iraniane të naftës, sepse ato janë të shqetësuara se qendrat e tyre të naftës do të mund të sulmoheshin nga grupet e përkrahura nga Teherani, nëse konflikti eskalon.