Ballina

Walker: Në Hagë nuk do duhej të ishin Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, por ish-ministri i Millosheviqit

By GAZETA SCANNER 1

August 17, 2023

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, masat ndëshkuese nga BE dhe ShBA ndaj Kosovës i ka cilësuar si të padrejta.

“Konsideroj që masat ndëshkuese apo sanksionet, sido që t’i quani ato, janë të padrejta ndaj Kosovës. Masa ndëshkuese u vihen atyre shteteve që i shkelin ligjet ndërkombëtare, siç është rasti me Rusinë. Nuk është normale që BE-ja dhe SHBA-të ta sanksionojnë një vend demokratik siç është Kosova. Kjo është me të vërtetë diçka e pazakonshme”, tha Walker për Tëvë1.

Walker foli edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të cilin, tha se në një situatë normale do të ishte në Hagë ai e jo ish-krerët e UÇK-së.

“Po ta kishim një situatë normale, sot në bankën e të akuzuarve në Hagë do të duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, e jo Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Të gjithë e dimë se çfarë roli ka pasur gjatë viteve të 90-ta Aleksandër Vuçiqi, dhe sot imagjinoni ai është president i Serbisë dhe për më tepër respektohet nga partnerët ndërkombëtarë. Këtu e keni vetëm një shembull se sa shumë ka ndryshuar komuniteti ndërkombëtar në raport me Kosovën”, tha Walker.