Lajme

VV-ja thotë se shumë shpejt do të hapet Ura e Ibrit, por nuk jep datë

By GAZETA SCANNER 1

July 18, 2024

Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër, do të hapet për qarkullim shumë shpejt.

Kështu kanë thënë dy deputetët e VV-së, Enver Dugolli dhe Arbër Rexhaj në “Debat Plus”.

Dugolli ritheksoi se kjo urë do hapet, por datën e saktë tha se nuk mund ta japë.

“Nuk mund të japim datë të saktë, nuk është vendim arbitrar e nuk do të vijë si vendim arbitrar, do të vijë natyrshëm”, tha ai.

Deputeti Rexhaj u shpreh për këtë çështje kanë pasur takime me faktorin ndërkombëtar, dhe se sipas tij ura shumë shpejt do të hapet dhe do të jetë e qasshme për qytetarët.

“Derisa po flasim për kohën e hapjes së urës, dhe orës, kjo tregon se kemi bërë progres në veri të Mitrovicëës, e kemi një vendim të asamblesë komunale të komunës. Me shumicë kanë votu të hapet ura, çështja i ka kaluar Qeverisë. Kemi pasur takim me QUINT-in.

“Ajo që dikur ishte sinonim i murit të Berlinit, kemi ardhë në pikën pas zhvillimeve shkatërrimeve të bandave që kanë ndodhë në veri. Me folë se kur do hapet ura atje, ura atje do hapet, pas një analize të organeve të sigurisë, në bashkërendim apo bashkëbisedim pse jo në koordinim me faktorët ndërkombëtarë, sidomos ShBA-së, apo në lajmërim. Ura shumë shpejt do të hapet dhe do jetë e qasshme”, tha Rexhaj.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.