Lajme

VV e merr si të kryer punën e milionave të BE pas rizotimit të Kurtit në Bruksel për zbatim të Marrëveshjeve

By GAZETA SCANNER 1

October 12, 2024

Komisioni Evropian dje ka aprovuar Agjendën e Reformave të dorëzuar nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes, projekt që synon përkrahjen financiare të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim të avancimit të integrimit drejt BE-së. Megjithatë për Kosovën dhe Serbinë përveç kushteve të përgjithshme që janë për të përfituar nga milionat që jepen nga BE, kanë dhe parakushtin për angazhim konstruktiv në dialog dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve në kuadër të procesit të normalizimit.

Ditë më parë nga Komisioni Evropian kanë sqaruar për Express se të gjitha parakushtet dhe kushtet e përgjithshme duhet të përmbushen për çfarëdo pagese.

“Të gjitha parakushtet dhe kushtet e përgjithshme duhet të përmbushen për çfarëdo pagese. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ekziston gjithashtu një parakusht i përgjithshëm që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.”, ka deklaruar zëdhënësja e KE, Ana Pisonero, për Express më 20 shtator.

Pavarësisht kësaj, partia e kryeministrit Albin Kurti, ka bërë një njoftim në ‘facebook’ duke e konsideruar si të punë të kryer që Kosova ka përfituar 880 milionë, ndonëse edhe vetë sqarojnë se është hapi i parë procedural drejt zbatimit të Planit të Rritjes.

“Kosova përfiton 880 milionë euro nga (IPA) Bashkimi Evropia. Komiteti i Instrumenteve të Para-anëtarësimit, i njohur si IPA, ka dhënë pëlqimin përfundimtar për agjendat e reformave. Ky është hapi i parë procedural drejt nisjes së zbatimit të Planit të Rritjes brenda së cilit Kosova i përfiton 880 milionë euro”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim që ka pasur me Drejtorin për Zgjerim të BE-së, Gert Koopman, me të cilin ka biseduar për Planin e Rritjes, ka premtuar angazhim konstruktiv në dialog dhe zbatim të të gjitha marrëveshjeve të dialogut, përfshirë edhe ato të vjetrat.

Vendet e Ballkanit janë një hap larg pranimit të pagesave të para nga ky plan miliardësh. Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin përfundimtar për zbatimin e pagesave dhe në këtë mënyrë do të jetë i gatshëm që t’i kryejë edhe pagesat e para nga kjo paketa për këto vende