Lajme

Vuqiç: Serbia do ta ruajë paqen

Presidenti serb, Aleksandër Vuqiç, ka reaguar në deklaratën e Edita Tahirit se ‘do të ketë një luftë nëse Serbia nuk e njeh Kosovën’, duke thënë se interesi jetik i Serbisë është paqja, transmetojnë mediet serbe.

Ish-shefja i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Beogradin, Edita Tahiri, tha në një konferencë me temën “Rruga për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë” se ‘nëse Serbia nuk e njeh Kosovën brenda kufijve të saj ekzistues, si një shtet i pavarur, do të kemi një luftë”.

“Gjithçka që i lejohet diplomatëve perëndimorë dhe shqiptarëve, neve nuk na lejohet, madje as e drejta për një mendim ndryshe. Kur Edita Tahiri bën thirrje për luftë, asnjë ambasadë nuk reagoi. Ajo thotë se do të ketë luftë. Kjo nuk është vetëm një thirrje, kjo është kërcënim me luftë. Shumë qarqe të Beogradit do të heshtin, ashtu siç do të hestin edhe ato ambasadat, perëndimore”, tha Vuqiç, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratën e Edita Tahirit se lufta do të pasonte nëse Serbia nuk do ta njihte Kosovën.

Ai rikujtoi se kur ai u bashkua përpjekjeve të Listës Serbe që delikti verbal ose një qëndrim apo mendim ndryshe nuk duhet të ndëshkohet me burgim, siç ndodhi me Ivan Todosijeviqin, reaguan katër ambasada perëndimore.

“Ata u hodhën mbi mua të më shesin mend dhe të më mësojnë të mos e ndryshoj historinë që ata mendojnë se e kanë bërë, sepse ata nuk mund të pajtohen që dikush ka një mendim, qëndrim ndryshe. Në të njëjtën kohë, këto ambasada të shteteve anëtare të BE-së heshtin kur na thonë që në Jasenovc nuk kishte ndodhur gjenocid dhe se kishte vetëm kampe pune, se atje njerëzit nuk u vranë, absolutisht heshtin”, tha Vuqiç, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për Reçakun, vendin ku ‘u vranë 100 ose 1,000 ose dhjetëra apo qindra mijëra njerëz, por rreth 40 vetë, për të cilët pretendojmë se një pjesë i përkisnin UÇK-së, ndërsa ata pohojnë që nuk i përkisnin.”

Vuqiç e quajti këtë sjellje hipokrizie, e cila, sipas tij, na tregon ‘gjendjen në të cilën gjenden për shumë vite’.

Vuqiç përsëriti se përgjigjja e tij për të gjithë ishte se ‘Serbia do të ruajë paqen’.

“Ne do të luftojmë që të kemi paqe dhe i lusim ata që mendojnë të luftojnë me dikë dhe ta sulmojnë dikë që të mos e bëjnë atë. Jo sepse ne jemi shumë të frikësuar, por sepse kjo është jashtëzakonisht e keqe për të gjithë. Dhe kjo është lutja ime e vetme”, deklaroi Vuqiç.