Botë

Vuqiç pritet me protesta në Shqipëri

Aktualisht, në Tiranë është duke u zhvilluar një protestë kundër ardhjes së presidentit serb, Aleksandër Vuqiç. Ai do të jetë në vizitë në Shqipëri nesër dhe të shtunën, ku pritet të marrë pjesë në samitin mbi Shengenin e vogël.

Para hotelit ku pritet të qëndroj Vuqiç, protestuesit kanë vendosur një mbishkrim “Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”.

Përndryshe, ky samit ishte paralajmëruar të mbahet në Durrës, por për shkak të termeteve që goditën Shqipërinë, ai do të mbahet në Tiranë.

Ky samit ishte nisur nga Vuqiç, me “qëllim të eliminimit të pengesave për qarkullim të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit”. Pjesë e Shengenit të vogël janë Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Serbia.

Në takimin e fundit, të mbajtur në Ohër, ishte arritur dakordim që të niset me realizimin e incijativës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi më herët pjesëmarrjen e Josep Borrell, në këtë samit.