Pas përfundimit të takimeve ndaraz me liderë të lartë evropianë, Presidenti i Serbisë, ka përsëritur ato që kaherë i ka quajtur “vija të kuqe” të Serbisë në raport me marrëveshjet me Kosovën, e të cilat tha se sot ua ka përsëritur në takim: Që Serbia “nuk e njeh Kosovën të pavarur” dhe se “Serbia nuk e pranon anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
“Ne kemi folur në takime për të gjitha temat kyçe dhe Serbia ka thënë qartë se dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar. Gjithmonë e kemi theksuar vetëm një gjë, atë që po e përsërisim tash e 10 vjet, që Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, as pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq, siç e cituan mediat serbe.
Presidenti i Serbisë tha se “është bazë e mirë” propozimi i sjellur nga “pesëshja e madhe” më 21 tetor, por se “rezervimi” ishte në atë që Kosovës t’i hapej rruga për OKB.
Risi ishte që Serbia “ka pranuar”, tha ai, që Asociacioni të formohet sipas propozimit të sjellur nga “pesëshja e madhe”, për të cilin propozim tha se nuk mund të jep hollësi.
“Ne jemi gati për formimin e Asociacionit në pajtim me propozimet që kemi marrë, por mua më duket që sot të gjithë e kanë të qartë, pavarësisht trukeve, dhe nuk ishte çështje nënshkrimi, por i zbatimit të atyre që janë nënshkruar dhe pajtuar në ndërkohë”, ka thënë Buçiq.
Pyetur se nëse formimi i Asociacionit është në dokumentin e pranuar nga “pesëshja” më 21 tetor, Vuçiq tha se “nuk mund të flas” dhe se “jemi pajtuar që të mos flasim”.
“Nuk mund t’u dhë hollësi, asnjë hollësi nuk ka rrjedhur askund. Këhtu jemi marrë vesh”, ka thënë Vuçiq.
“Gjithçka që kemi nënshkruar tashmë, që është Marrëveshja e Brukselit, duhet të zbatohet. Ai u nënshkrua nga të dyja palët, si dhe nga pala e tretë, përfaqësues të BE-së. Është nënshkruar, dhe duhet të përmbushet, por nuk është bërë për gati 11 vjet. Që në fillim thashë se jemi gati të përmbushim gjithçka, përveç gjërave që do të na bëjnë të njohim de facto ose de jure pavarësinë Kosovës. E thashë këtë dhe e përsërita tri herë sonte. Nuk ka nevojë të bëhet zhurmë”, tha Vuçiq.