Lajme

Vuçiq tenton t’i ftohë serbët që të mos votojnë më 21 prill: S’ka njerëz mjaftueshëm, po bëhet gjithçka që të dështojë

By GAZETA SCANNER 1

March 29, 2024

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media ka folur “edhe për kushtet që Perëndimi kishte vendosur për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës”.

Sipas tij, fillimisht  u tha të dorëzohet një peticion me nënshkrimet e më shumë se 20 për qind të serbëve që kërkojnë zgjedhje në këto katër komuna.

“Mirëpo, Kurti nuk bëri thirrje për zgjedhje, kështu që pastaj thanë “duhet të kete një referendum ku duhet të kesh më shumë se 50 për qind të serbëve të regjistruar. Por ata njerëz nuk janë. Kjo është e pamundur”, tha Vuçiq.

Tutje, ai tha se Kosova ka nxjerrë një rregullore me 10 pika “për ta penguar referendumin”.

“Për të votuar për shkarkimin, është e nevojshme që në referendum të dalin 50 për qind plus një votues”, tha Vuçiq.

Ai nënvizoi se edhe para ngjarjeve në Banjskë, por edhe më pas, më shumë se 12 për qind e serbëve nga veriu i kanë braktisur shtëpitë e tyre.

“Në të njëjtën kohë, me një zvogëlim të ndjeshëm të numrit të serbëve në Kosovë, lista e votuesve u rrit për 824 votues për vetëm dy muaj e gjysmë, që është tre herë më shumë se më parë në një vit deri në vitin 2023”, tha Vuçiq. Ai shtoi se edhe kjo është bërë vetëm që të mos “plotësohen kushtet për daljen në referendum”.

“Votimi jashtë Kosovës me postë, i cili lejohet kudo, është i pamundur për shkak të vendimit të të ashtuquajturës Gjykatë Supreme të Kosovës nga viti 2019. Pranohet vetëm nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Vuçiq.

Ai nënvizoi se afatet për veprime zgjedhore janë jashtëzakonisht të komplikuara dhe shumë të shkurtra, se regjistrimi zgjat gjashtë ditë deri më 3 prill 2024.

“Në të njëjtën kohë, ky shkarkim nuk nënkupton largimin e këshilltarëve ( komunalë) që kanë pushtet de fakto. Prandaj ata bënë gjithçka që referendumi të mos zbatohet. Dhe kështu po na bëjnë budallenj të gjithëve”, përfundoi Vuçiq.