Lajme

Vuçiq kapet me ndërkombëtarët që janë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

By GAZETA SCANNER 1

May 17, 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbrëmë ka deklaruar për mediat në Serbi se nuk është e sigurt që Kosova nuk do të jetë në agjendën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por se “nuk do të jetë aq e lehtë për ta”.

“Mund të jetë çdo gjë, por nuk do të jetë aq e lehtë për ta, sepse gjermanët do të shkelnin të gjitha parimet e tyre, por tani po punojnë për një truk tjetër në të cilin (Gerald) Knaus dhe e gjithë makineria e lobit rreth tij, britanikët etj marrin pjesë, dhe kjo është kthimi në planin e Ahtisaarit….” ka thënë Vuçiq mes tjerash shkruajnë media në Serbi.

Megjithatë, ai ka theksuar se Serbisë i janë të lidhura duart kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, sepse siç thotë ai “të gjithë votojnë të komanduar paraprakisht”.

“Ata pak miq që kemi, kaq kemi, nuk do të kemi më shumë se kaq”. Ne po luftojmë, po bëjmë gjithçka që mundemi, por mundësitë tona janë mjaft të kufizuara”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse ka mundësi që disa nga vendet të ndryshojnë qëndrimin e tyre për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Vuçiq ka theksuar se sllovakët dhe hungarezët nuk do ta ndryshojnë kurrë qëndrimin e tyre “përderisa janë Fico dhe Orban” në pushtet, e gjithashtu edhe as Spanja.

Ndryshe, ende nuk dihet se a mund të ketë sot ndonjë lëvizje të re rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE. /Telegrafi