Botë

Vritet nga një shpërthim në Moskë gjenerali i sanksionuar për përdorim të armëve kimike në Ukrainë

By GAZETA SCANNER

December 17, 2024

Gjeneral Lejtënant Igor Kirillov, që ishte përgjegjës për forcat ruse të mbrojtjes radiologjike, kimike dhe biologjike, është vrarë nga një shpërthim në Moskë, ka thënë Komiteti Hetues i Rusisë.

Kirillovi u vra afër një ndërtese banimi në distriktin Ryazansky, që fillon rreth shtatë kilometra në juglindje të Kremlinit, raporton gazeta “The Guardian”.

Shpërthimi u shkaktua nga një pajisje e fshehur brenda një skuteri elektrik, sipas Komitetit Hetues. Thuhet se edhe autori i vrasjes e ka humbur jetën.

Lajmi vjen pasi prokurorët ukrainas e kishin akuzuar Kirillovin për përdorim të armëve kimike të ndaluara në Ukrainë, sipas mediumit “Kyiv Post”.

Britania e Madhe i kishte vendosur sanksione Kirillovit, që e mbante pozitën aktuale që nga viti 2017, në tetor të këtij viti për përdorim të agjentëve për kontrollimin e trazirave dhe pas raportimeve të shumta për përdorimin e një agjenti helmues ngulfatës – kloropicrin – në Ukrainë.

Forcat ruse për mbrojtje radioaktive, kimike dhe biologjike – RKhBZ – janë forca speciale që veprojnë në kushte të kontaminimit radioaktiv, kimik ose biologjik.

Hetuesit dhe ekspertët e forenzikës po punonin në vendin e shpërthimit bashkë me punonjës të shërbimeve të tjera emergjente, raportoi agjencia ruse e lajmeve, TASS.