Ballina

Vrasjet e 124 shqiptarëve në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan, Kurti citon dëshmitarin: Para se të gjuanin bërtitën “në emër të Serbisë”

By GAZETA SCANNER 1

May 14, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrat në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan.

Ai në një postim në Facebook ka cituar dëshminë e Isa Gashit, i mbijetuar i masakrës së Qyshkut.

“Para se të na gjuante, ai bërtiti: “Në emër të Serbisë!” Menjëherë ushtarët e tjerë hapën zjarr në të gjithë dhomën. Pas kësaj, ata ia vunë flakën shtëpisë dhe u përgatitën të dilnin nga dhoma. U tërhoqa nga trupat e vdekur dhe kuptova se askush nga grupi im nuk ishte gjallë.”

Kurti ka shkruar se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim për kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësve të tyre.

“Sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre. Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen. Proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpërlarje kriminelësh. Gjaku i të rënëve për liri nuk humbet. Kujtimi për ta është i përjetshëm”, ka shkruar ai.