Lajme

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo me Danimarkën vlerësohet si problematike në përmbajtje

By GAZETA SCANNER 1

November 26, 2023

Një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare ia dolën të miratohen të enjten, pasi që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u pajtua që t’i mundësojë pushtetit kalimin e tyre. Megjithatë, jo të gjitha marrëveshjet morën votat e nevojshme, pasi disa u shtynë për seancat e ardhshme. Mes tyre, njëra që është komentuar shumë, ka gjasë të dështojë në tërësi.

Akuza e kundërakuza u bënë për marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kishin muaj që po prisnin për të marrë votat e nevojshme në Kuvend.

Por, seanca e së enjtes solli paqe mes pushtetit dhe një pjese të opozitës, duke i kaluar disa prej tyre.

Marrëveshja e parë e cila është miratuar është ajo e “Rehabilitimit të linjës hekurudhore 10B”.

Pas saj, Kuvendi ka miratuar edhe Marrëveshjen e kredisë dhe projektit për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Po ashtu, është miratuar edhe Marrëveshja e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Votën e deputetëve e ka marrë edhe Marrëveshja për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Kuvendi ka votuar edhe Marrëveshjen për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve.

Por, në votim nuk u hodh fare Traktati ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, pas polemikave të shumta mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetëve, kryesisht nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

Se kjo marrëveshje është problematike në përmbajtje dhe diskutimet po stërzgjaten me të drejtë e thotë Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas tij, gati e vetmja gjë pozitive prej saj, është kostoja që Kosova përfiton.

“Tiparet pozitive të kësaj marrëveshje, e vetmja gjë që mund të vlerësohet është përfitimi financiar që Kosova e ka nga ky traktat meqenëse përfiton afër 15 milionë euro në vit”, ka thënë Thaçi.

Përveç traktatit me Danimarkën, edhe tri marrëveshje ndërkombëtare nuk janë hedhur në votim, pasi në pjesën e dytë të seancës nuk pati kuorum.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, u zhbllokua pasi përfundimisht votën për to e dhanë edhe deputetët e AAK-së, duke e lënë grupin parlamentar të PDK-së të vetmin që vazhdon kundërshtimin e votimit të tyre dhe nismave të pushtetit.