Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon e ka vizituar veriun dhe nga Zveçani tha se “kjo është e frikshme”, ndërsa dikush po i tregonte se çfarë ndodhi të premtën.
Në afërsi të objektit të komunës, Von Cramon tha se “është një situatë e vështirë”, ndërsa më pas bisedoi me disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Ku është kërcënimi? Pse… Çfarë dreqin ju solli këtu?”, ka pyetur ajo, përcjell Express.
Njëri prej policëve, siç dëgjohet në një video, i thotë asaj se “ne kemi ardhë me e mbrojtë kryetarin kur të zgjedhet”, duke shtuar se këtë e kanë për detyrë ta bëjnë.
Von Cramon më pas tha se nuk është faji i policëve, sepse ata vetëm po i zbatojnë urdhërat.
“Nuk ju fajësoj, mos më keqkuptoni. Nuk ju takon juve të vendosni se ku do të punoni”, tha ajo. “Pyetjet e mia duhet t’i bëj në Prishtinë”.