Lajme

Von Cramon për zgjedhjet në Serbi: Partia në pushtet i përdori të gjitha mjetet për të siguruar vota

By GAZETA SCANNER 1

December 20, 2023

Presioni mbi Serbinë është duke u rritur nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të problemeve të shumta me procesin zgjedhor.

Tani, Bashkimi Evropian po i kërkon Serbisë, që t’i hetojë të gjitha parregullsitë e raportuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ku fituese doli lisa zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, me 46.7 për qind të votave.

Zgjedhjet në Serbi po i kritikon edhe eurodeputetja, Viola Von Cramon, e cila thotë për tëvë1 se ka pasur keqpërdorim të burimeve administrative gjatë procesit zgjedhor në Serbi. Tutje, Cramon thotë se partia në pushtet përdori të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar vota.

“Një grup i madh i vëzhguesve nga OSBE, ODHIR dhe nga Parlamenti Evropian, vëzhguan nga afër zgjedhjet në Serbi. Në raportet e tyre thuhet qartë se në zgjedhjet në Serbi ka pasur shpërdorim të burimeve administrative, blerje votash, dhe regjistrime të rreme. Më së shumti probleme janë evidentuar në kryeqytetin e Serbisë në Beograd. Partia në pushtet i përdori të gjitha mjetet e mundshme që i kishte ne dispozicion për të marrë vota dhe kjo është shkelje flagrante e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka thwnw eurodeputetja për Tëvë 1 Deputetja e Parlamentit Evropian, e vlerëson si të drejtë protestën e qytetarëve serbë të cilët po kërkojnë që të përsëriten zgjedhjet në Beograd.

Sipas saj, pati përpjekje serioze për ndryshime politike në Serbi prandaj ka frustrim te qytetarët serbë.

“Reagimi i qytetarëve në Beograd ishte shumë normal, sepse ata po vlerësojnë se nuk pasur drejtësi dhe zëri i tyre nuk është dëgjuar. Veçanërisht gjeneratat e reja ishin me plotë shprese se diçka do të ndryshonte përmes këtyre zgjedhjeve, ata ishin duke pritur me orë të tëra për votuar dhe dalja ne zgjedhje ishte shumë e madhe. Pra, pati përpjekje serioze për ndryshime, por tani kur i shihni gjitha këto shkelje që kanë ndodhur, natyrisht se do dalësh në rrugë për të protestuar. Tani është e rëndësishme të shohim se si do të jetë reagimi i shtetit serb ndaj protestuesve” , shprehet ajo.

Von Cramon, ka folur edhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo vlerëson se pas formimit të qeverisë në Serbi, do të ketë një momentum të ri në këtë proces.

“Mendoj që pas këtyre zgjedhjeve në Serbi, do të krijohet një momentum i ri në dialog, sepse ka ardhur koha që të ketë rezultate konkrete. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e mbështesin fuqishëm dialogun, por megjithatë i takon palëve që të tregojnë më shumë vullnet”, tha Cramon.

Partia Progresive Serbe e Aleksandar Vuçiq, e ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.