Lajme

Vokrri: Vazhdimi i dialogut me Serbinë do të varet nga kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit

By GAZETA SCANNER 1

December 04, 2024

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka deklaruar se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të varet shumë nga çfarë do të ndodhë me kërkesën e Kosovës ndaj Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit.

Vokrri në Tëvë1 ka shtuar se ky është një mesazh ndaj Bashkimit Evropian për siç ka thënë ai ti treguar se Kosova është pala e dëmtuar në vazhdimësi.

Sipas tij këtë kërkesë të Kosovës Kallas në mënyrë më diplomatike ia ka përcjellur presidentit të Serbisë , Aleksandar Vuçiq.

“Vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë do të varet shumë edhe nga ajo se çfarë do të ndodhë me këtë kërkesë të Kosovës, pra që kryeterroristi Radoiçiq të dorëzohet për gjykim në Kosovë. Kjo është edhe një mesazh që i ipet BE-së se ne jemi palë e dëmtuar në vazhdimësi dhe se nëse do t;i përmbahen parimeve të drejtësisë atëherë duhet ti ushtrohet trysni shtetit fqinj që mbetet fatkeqësisht armiqësor që ta respektojë këtë kërkesë tonë. Kaja Kallas këtë kërkesë tonën mbase në mënyrë më diplomatike ia ka përcjellur presidentit Vuçiq ku është kërkuar pra që të ketë drejtësi për ngjarjen e Banjskës”, është shprehur ai.

Ndryshe, kërkesën e Kosovës drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit kryeministri Kurti ka thënë se e ka përsëritur gjatë takimit të së martës në Bruksel me shefen e re të diplomacisë, Kaja Kallas.