Lajme

Videot propagandistike| Kosova, vendi ku montazherët po e bëjnë politikën e partive

By GAZETA SCANNER 1

January 27, 2023

Partitë politike në Kosovë kanë nisur një betejë online.

Vendin e terrenit, fjalimeve në Kuvend e debateve në media, po e lë nën hije ‘beteja’ e montazherëve të partive politike.

Ata nëpërmjet videove të rrjetet sociale po ia kallëzojnë njëra-tjetrës pikat e dobëta dhe po e akuzojnë njëra-tjetrën se cila i ka bërë më shumë të këqija vendit.

Përderisa partia në pushtet po i akuzon partitë opozitare për gjithçka që po ndodh edhe tani, partitë opozitare po ia numërojnë Vetëvendosjes një nga një ngecjet, punësimet partiake e familjare, rritjen e çmimeve, aferat e krejt të bëmat për dy vjet qeverisjeje.

Vetëvendosje vendosi t’i godasë edhe një herë partitë opozitare, kryetarët e të cilave herë pas here i thërret për t’u takuar, duke i akuzuar për keqqeverisje kur e kishin pushtetin. Opozita beson se Kurti në këtë mënyrë po mundohet ta mbulojë mossuksesin në qeverisje dhe t’i ikë përgjegjësisë.

Lëvizja Vetëvendosje zgjodhi pasditen e së martës për ta publikuar një video. Ishte rreth një minutë e gjysmë, por plot akuza për qeveritë e mëparshme.

“Çka ka, çka s’ka këto dy vite?”. Me këtë pyetje niste videoja e partisë në pushtet, që në vijim përzgjodhi mbi njëzet përgjigje dhe pothuajse secila prej tyre përmbante pjesëzën “nuk”. Deri në fund, shumica e përgjigjeve u renditën me “nuk ka”.

Në fund, videoja mbyllet me këto fjalë: “Ka shtet, ka shoqëri, ka qytetari. Ka Republikë!

E më pas, Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar një video që përmbledh faktet e zbuluara deri më sot për aferën milionëshe me protagonist ambasadorin Martin Berishaj dhe lidhjet e tij me kompaninë e tregtimit të energjisë, GEN-I në Beograd.

Kjo video që shpalos historikun e aferës së Martin Berishajt dhe akuzat e ngritura ndaj tij, flet edhe për mbrojtjen e pakuptueshme të Berishajt nga krerët institucionalë të Kosovës, lidhjen e tij me kryeministrin Kurti dhe financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, po këto ditë ka shpërndarë një video në lidhje me qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti për këto dy vite.

Në video ata kanë renditur çmimet e produkteve bazë për vitin 2021 dhe çmimet për vitin 2022, ku pasqyrohet rritja e çmimeve prej 46%.

Këtë video e kanë quajtur “Kurti po na kushton”.

Ndërsa, sot Aleanca e të Rinjve të Kosovës gjithashtu e ka shpërndarë një video me titull “Historia e një familje të privilegjuar”, ku kanë publikuar punësimet e bëra nga Qeveria Kurti.

Fjala është për familjarë të krerëve të shtetit, deputetëve, ministrave e deri te kryetarët e komunave nga radhët e Vetëvendosjes dhe Listës Guxo, shkruan Demokracia.com.

Në videopërmbajtje, mes tjerash, janë përmendur edhe mbesa e Kurtit, tezakja e Osmanit, xhaxhai i Konjufcës, punësimet në KEK, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, etj.

Në të kaluarën, studiot e debateve televizive kanë qenë përherë të mbushura me përfaqësues të partive politike dhe ka pasur ballafaqim, ndërsa tani beteja politike është reduktuar vetëm në Kuvend dhe në video propagandistike. /Demokracia/