Lajme

Veturat pa regjistrim, mijëra gjoba për shtatë muaj

By GAZETA SCANNER 1

August 26, 2023

Kolonat janë të gjata.

E shkak është edhe prania e një numri të madh të automjeteve në vend.

Mirëpo në trafik qarkullojnë edhe shumë vetura të paregjistruara.

Sipas ekspertëve të komunikacionit, kjo është shkak për mospaisjen e Kosovës me Karton të Gjelbër.

“Kjo tregon dhe na sanksionon që ne me qenë edhe pjesë e Kartonit të Gjelbër, fatkeqësisht sepse Kosova mundet me i pasë deri në 300 mijë automjete dhe një e treta janë të paregjistruara. Është një shifër jashtëzakonisht e madhe”, bëri të ditur eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj.

E vetëm për shtatë muaj nga Policia e Kosovës janë shqiptuar mbi 8 mijë gjoba ndaj ngasësve të automjeteve të paregjistruara.

“Në periudhën kohore Janar-Korrik 2023 për kundërvajtjen kalimi i afatit të regjistrimit të mjetit janë shqiptuar 8,251 gjoba”, thonë nga PK-ja.

Megjithatë, sipas Byrosë Kosovare të Sigurimeve këtë vit ka ulje të automjeteve të paregjistruara.

“Normal që ka ulje të numrit të veturave të paregjistruara. Ju e dini që me 15 mars është bërë një vit që nga implementimi i projektit të stikersave që ka qenë njëra prej formave që ne kemi mendu, ideu e projektu dhe po financohet nga kompanitë e sigurimeve që kjo dukuri të ulet”, theksoi Sami Mazreku nga BKS-ja.

Madje nga ky vit, veturat pa regjistrim po largohen nga trafiku.

“Ndryshimi këtë vit është që këto vetura po largohen nga trafiku, dmth nuk po iu jepet mundësia që pas një ore-dy këto vetura me shkaktu aksident. Këta qytetarë përveç që rritin pasigurinë në trafik, po e dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit sepse nuk paguajnë taksa, nuk paguajnë taksa rrugore, taksa komunale, nuk paguajnë taksën e regjistrimit të veturës, kështu që nuk është dëmi vetëm tek ne por dëmi është sepse aksidentet shkaktohen nga këto vetura paguhen nga byroja me financim të drejtpërdrejtë të kompanive të sigurimeve”, shtoi ai.

Që nga e hëna, Tëvë1 ka kërkuar shpjegime edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me veturat e paregjistruara në Kosovë, mirëpo nga kjo ministri deri më tani nuk është kthyer ndonjë përgjigje.