Lajmest-slider

Veseli: Më 26 dhjetor nis një epokë e re ku PDK do të jetë në opozitë

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se shpreson që më 26 dhjetor do të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Më datën 26 dhjetor në ora 15:00 do të kemi seancën konstitutive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Ishte mbledhje procedurale në bazë të rregullores së Kuvendit ku janë përcaktuar kornizat e mbajtjes së mbledhjes konstituive”.

“Shpresoj që me datën 26 dhjetor do të kemi një legjislaturë të re, përkatësisht një epokë të re të politikës në Kosovë me pozitë dhe opozitë ku PDK do të jetë opozitë”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se beson edhe në krijimin e institucioneve të reja.

“Shpresojmë që shumë shpejt do të kemi konstituimin edhe të organeve të tjera që kanë shumë rëndësi veçanërisht për buxhetin e Republikës së Kosovës në mënyrë që të ecim në rrugëtimin tonë – të forcimit të shtetit, drejt orientimit tonë euroatlantik dhe kryerjen e detyrimeve që kemi para qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli.

Veseli ka zgjedhur që të përgjigjet me ironi kur është pyetur se a beson se do të arrihet koalicioni VV-LDK në mënyrë që të konstituohet Kuvendi.

“Unë besoj në Zot dhe në kombin tim, derisa këto tjerat pak më bëjnë përshtypje. PDK-ja do të jetë opozitë dhe do të jemi konsistentë në qëndrimet në mbrojtjen e interesave të qytetarëve”.

“Kosova duhet të ece përpara, nuk e kemi luksin që të vonohemi, prandaj presim seriozitet që institucionet të krijohen sa më shpejt”, është shprehur Veseli.