Botë

Vendimi për fajësinë e ish-presidentit Trump, ndasi në jetën politike amerikane

By GAZETA SCANNER 1

June 01, 2024

Vendimi historik për fajësinë e ish-presidentit Donald Trump në gjykatën e Nju Jorkut të enjten për 34 akuza penale shkaktoi me shpejtësi reagime në mbarë spektrin politik.

Ekipi elektoral i kundërshtarit të tij politik dhe kandidatit demokrat për president, Joe Biden, u shpreh se vendimi i jurisë në Nju Jork për ta shpallur fajtor ish-presidentin Trump tregon se askush nuk është mbi ligjin.

“Donald Trump-i ka menduar gjithnjë në mënyrë të gabuar se nuk do të përballej ndonjëherë me pasoja për shkeljen e ligjit për përfitim personal”, thuhet në një deklaratë të ekipit elektoral Biden-Harris. “Por vendimi nuk ndryshon faktin se populli amerikan përballet me një realitet të thjeshtë. Mbetet ende një mënyrë ta mbajtur Donald Trump-in larg Zyrës Ovale: kutitë e votimit”.

Ekipi elektoral i zotit Trump pretendoi në një deklaratë se atij nuk iu dha mundësia për një gjykim të drejtë, në një ndër pjesët më liberale të vendit.

“Kjo ishte e turpshme. Ky ishte një gjyq i manipuluar nga një gjyqtar i korruptuar. Është një gjyq i manipuluar, një turp. Nuk na lejuan ndryshimin e vendndodhjes. Kemi patur 5 apo 6 për qind mbështetje në këtë zonë. Ky ishte një gjyq i manipuluar, i turpshëm”, deklaroi ish-presidenti Trump.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u shpreh në një deklaratë se: “Sot është një ditë e turpshme në historinë amerikane. Demokratët brohorisnin ndërsa shpallën fajtor udhëheqësin e partisë kundërshtare nëpërmjet akuzave qesharake, të bazuara në dëshminë e një të dënuari për shkelje penale, të cilit i është hequr edhe liçenca e ushtrimit të profesionit. Kjo ishte një përpjekje krejtësisht politike, jo ligjore”.

Fuqia e sistemit

Ligjvënësit demokratë thanë se vendimi demonstroi fuqinë e sistemit ligjor amerikan.

“Një individ, që është shpallur fajtor për 34 akuza penale dhe tregon zero respekt për funksionimin e shtetit ligjor, nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr vendin më të mrekullueshëm të botës”, tha senatorja demokrate Sheldon Whitehouse, kryetare e nënkomisionit për gjyqësorin në Senat. “Vetëm në salla të ndershme gjykatash ish-presidenti nuk ka mundur të gënjejë dhe të shajë për të dalë nga telashet. Ekziston një arsye përse amerikanët u besojnë jurive”.

Vendimi shënon herën e parë që një ish-president amerikan gjendet fajtor për vepra penale. Ky vendim megjithatë nuk ia ndalon zotit Trump kandidimin për poste publike dhe mund t’i nënshtrohet një procesi të zgjatur apelimi.

Barbara Perry, bashkëkryetare e Qendrës Miller për historinë presidenciale në Universitetin e Virxhinias, i tha Zërit të Amerikës se nëse dështon në apel, zoti Trump do të shënonte kështu një tjetër zhvillim historik për një ish-president amerikan.

“Le të themi se do të qëndrojë në fuqi dënimi i tij për vepra penale deri më 5 nëntor, ditën e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Nëse vazhdon të qëndrojë rezident në Florida, një shtet ku të dënuarve për vepra penale nuk u lejohet të votojnë, ai praktikisht nuk do të jetë në gjendje të votojë për vete. Ironia tjetër e kësaj, krahas faktit që është e paprecedentë,… është se ai dhe shumë republikanë të tjerë janë përpjekur prej vitesh të dekurajojnë ushtrimin e të drejtës së votës”.

Ish-presidenti Trump mund të përballet gjithashtu me mundësinë e një dënimi me burg, ose mund të vendoset nën arrest shtëpie, nëse vendimi për fajësinë e tij do të mbetet në fuqi.

Senatori republikan Lindsey Graham kritikoi nëpërmjet një deklarate procesin që solli vendimin për fajësinë.

“Një prokuror vegël e politikës sajoi akuzat në një ndër selitë më liberale juridike të vendit. Një gjykatës i pakëndshëm dhe i anshëm, që duhej të ishte skualifikuar, e drejtoi gjyqin në mënyrë që të ishte i sigurt dënimi i Donald Trump-it. Një juri e formuar nga përfaqësues të një prej zonave më liberale të Amerikës”, tha senatori Graham.

Zonja Perry i kundërshton akuzat e republikanëve se gjyqi ishte një falsitet.

“Shumica e vëzhguesve objektivë do të thonin se ky ishte një gjykatës shumë i drejtë. Por edhe nëse do të mendonin se gjykatësi ishte i padrejtë, a do të mendonin se edhe të 12 anëtarët e jurisë ishin të padrejtë? A mendojnë se ishin të gjithë partiakë?”, tha ajo. “Të 12 anëtarët e jurisë u miratuan nga të dyja palët në këtë proces gjyqësor dhe të thuhet që i gjithë procesi ynë ligjor është një falsitet, do të thoja se kjo lloj deklarate i afrohet ndoshta tradhtisë”.

Zëdhënësi i këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams tha se: “Ne respektojmë shtetin ligjor dhe nuk kemi komente të mëtejshme”. Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende pyetjes së Zërit të Amerikës nëse ka përgatitur një vlerësim për rreziqe të shtuara pas dhënies së vendimit.

Ish-presidenti Trump përballet me tre çështje të tjera penale në Florida, Xhorxhia dhe Uashington./VOA/