Ekonomi

Vendimi i MTI-së s’lë gjurmë, rritet drastikisht çmimi i naftës në treg

By GAZETA SCANNER 1

August 06, 2023

Çmimi i derivateve në Kosovë është ngritur sërish.

Ditën e sotme çmimi i naftës ka shkruar 1.48 për litër.

Kujtojmë që ky ndryshim drastik i çmimit vjen një javë pasi MTI doli me njoftim ku thuhej se është marrë vendimi për caktimin e çmimeve dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, por që e njëjta gjë nuk po zbatohet.

Njoftimi i plotë:

Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror. Kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.