Sport

Vedat Muriqi: Besojmë në hakmarrje në fushë, hyjmë 100% për të fituar ndaj Rumanisë

By GAZETA SCANNER 1

September 05, 2024

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje në kuadër të sezonit të ri të Ligës së Kombeve, ku fillimisht nesër do të përballet me Rumaninë në Fadil Vokrri.

Trajneri Franco Foda dhe Vedat Muriqi dolën në konferencë për shtyp sot, për të komentuar shumë gjëra rreth ndeshjes së kaluar me Rumaninë dhe ndeshjen e nesërme.

Fillimisht me përgjigje e nisi Muriqi, ku komentoi ndeshjen e kaluar me Rumaninë, teksa më vonë i komplimentoi ata për formën që e kanë treguar kohët e fundit.

“Besojmë shumë në hakmarrje në fushë. Duhet t’i mposhtim vetëm në fushë dhe jo me gjëra tjera.

Ndeshja e nesërme është e rëndësishme për të dy palët. Siç e dini Kosova dhe Rumania janë favoritët për vendin e parë. Fituesi nesër do ta ketë mundësinë e artë për të përfunduar në vendin e parë.

E vlersojmë shumë si kundërshtarë. Herën e kaluar nuk e kam parë që janë më të mirë se ne por u treguan më të mirë, dhe ata arritën të kualfikohen në Evropian për të pasur një kampanjë të mirë. Kanë skuadër të mirë, me lojtarë fortë, por me gjithë respektin për ata, ne do të hyjmë në fushë për tre pikë.

Trajnerin e Rumanisë e njoh nga liga e turqisë. Ai është një nga trajnerët më të mirë. Fokusohet në taktikë shumë, në përgjithësi trajneri i mirë. I uroj sukses te Rumania. Nesër është më shumë ndeshje mentale, asnjëra nga skuadrat nuk besoj që do të fokusohet shumë në taktikë.

Ankesa e FFK-së ka qenë me vend. Siç e dini, ndeshja në Rumani u ndal për një orë. Politika duhet të jetë larg futbollit, sepse futbolli është për t’i afruar njerëzit jo për t’i larguar. E them prapë, ankesa e FFK-së ishte e duhura.

Prej që jemi kombëtare, sulmi ka qenë gjithë i mirë. Nuk po ndihem në presion, por më bëhet qefi që kemi sulmues të rinj kaq të mirë. Kënaqem kur i shoh lojtarët e rinj që po vijnë, sepse janë duke u zhvilluar shumë dhe janë gjeneratë e re.

Për momentin jemi në top formë, ashtu siç kemi qenë disa vite më herët. Jemi përgatit maksimalisht. Futbollit nuk i dihet, por të gjithë ne, pa marrë parasysh emrat do të japim 100% në fushë.

Mund të luajë në sistemin me dy sulmues. Kam luajtur kështu edhe në skuadër. Nuk e kam problem, si të vendos trajneri.”