Ekonomi

Vdes pronari, me vete merr fjalëkalimet e 160 mln dollarëve

Juristët që përfaqësojnë klientët e kompanisë së rrënuar dhe e cila merrej me tregtimin e kripto valutave, QuadrigaCX, duan që autoritetet kanadeze të zhvarrosin trupin e themeluesit të saj. Siç duket problemi qëndron te fjalëkalimet që askush tjetër përveç tij nuk i dinte.

Gerald Cotten, themeluesi 30-vjeçar i QuadrigaCX, vdiq në Indi më 9 dhjetor 2018, për shkak të komplikimeve nga sëmundja e Crohn-it, sipas një konfirmimi nën betim të gruasë së tij, të paraqitur pas vdekjes. Trupi i Cotten u kthye sërish në Kanada për varrosje.

Në kohën e vdekjes, Cotten ishte personi i vetëm me fjalëkalimet për të hyrë në fondet e klientëve. Në gjithë situatën e krijuar, QuadrigaCX kërkoi mbrojtje nga kreditorët në Gjykatën Supreme të Nova Scotia.

Vdekja e Cotten i la klientët pa qasje në më shumë se 160 milion dollarë fonde dhe polemika ende vazhdon rreth kompanisë dhe themeluesit të saj. Monitoruesi i caktuar nga gjykata, ‘Ernst&Young’, i cila po mbikëqyr procedurat e falimentimit, ka hetuar rënien e kompanisë.

Në një letër dërguar Policisë Mbretërore Kanadeze më 13 dhjetor, firma ligjore ‘Miler Thomson’ u kërkoi autoriteteve që ‘të bëjnë një zhvarrosje dhe obduksion pas vdekjes të trupit të Gerald Cotten për ta konfirmuar identitetin e tij, si edhe shkakun e vdekjes, duke vënë në pikëpyetje rrethanat që lidhen me vdekjen e z. Cotten dhe humbjet e konsiderueshme të përdoruesve të prekur’.

Juristët gjithashtu parashtruan ato që ata i përshkruanin si informacione të disponueshme publikisht për Cotten dhe QuadrigaCX që ‘sipas mendimit së tyre, theksojnë më tej nevojën për siguri rreth pyetjes nëse Z. Cotten është në fakt i vdekur’.