Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka vdekur në moshën 100-vjeçare, njoftoi kompania konsulente e tij të mërkurën.
Ai vdiq në shtëpinë e tij në Konektikat.
Kissinger kishte dominuar politikën e jashtme përderisa Shtetet e Bashkuara u larguan nga lufta në Vietnam dhe larguan barrierat me Kinën.
Kissinger kishte ndikim të madh në çështjet globale gjatë shërbimit të tij në mandatet presidenciale të Richard Nixonit dhe Gerald Fordit, duke fituar edhe Çmimin Nobel për paqe.
Fuqia e Kissingerit u rrit gjatë trazirave të shkaktuara nga afera Watergate, kur ai mori një rol të ngjashëm me të bashkëpresidentit, në kohën kur fuqia e Nixonit ishte dobësuar për shkak të aferës.
Një hebre që u largua nga Gjermania Naziste së bashku me familjen e tij, Kissinger në vitet e mëvonshme fitoi reputacionin e një burrështetasi të respektuar, duke ofruar këshilla si për republikanët, ashtu edhe demokratët. Në shumë raste, ai u pa edhe në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur Donald Trump ishte president.
Për tetë vjet – fillimisht si këshilltar për siguri kombëtare, e më vonë si sekretar i Shtetit dhe për një periudhë duke mbajtur të dy këto poste – Kissinger kishte trajtuar çështjet kryesore të politikës së jashtme. Ai kreu “diplomacinë e parë fluturuese” në kërkim të paqes në Lindjen e Mesme. Ai përdori kanale sekrete për të krijuar lidhje midis SHBA-së dhe Kinës, duke i dhënë fund dekadave të izolimit dhe armiqësisë së ndërsjellë.
Kissinger po ashtu kishte nisur negociatat e Parisit për të nxjerrë SHBA-në nga një luftë e kushtueshme në Vietnam.
Ai po ashtu ndoqi një politikë për të ulur tensionet me Bashkimin Sovjetik që çoi në marrëveshje për kontrollin e armëve dhe hapi mundësitë që tensionet e Luftës së Ftohtë dhe kërcënimeve bërthamore të mos zgjasnin përgjithmonë.
Gjatë një interviste dhënë në korrik të vitit 2022 për ABC ai u pyet nëse do të dëshironte të ndryshonte ndonjë nga vendimet e ndërmarra gjatë karrierës së tij.
“Kam menduar për këto probleme gjatë gjithë jetës sime. Është hobi im, por edhe profesioni im. Prandaj, rekomandimet që bëra ishin më të mirat për të cilat atëherë isha i aftë t’i bëja”, kishte deklaruar Kissinger.
Deri në muajt e fundit të jetës së tij, Kissinger u përfshi në çështje globale. Në korrik, ai u takua me liderin kinez, Xi Jinping, në Pekin.
Dhe 50 vjet pasi diplomacia fluturuese e tij ndihmoi në dhënin fund të Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973, kur Izraeli zmbrapsi sulmet e befasishme nga Egjipti dhe Siria, Kissinger kishte paralajmëruar se konflikti mund të përsëritej, pasi Izraeli u përball me sulm të befasishëm nga Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor.
Kissinger fitoi Çmimin Nobel për Paqe për shkak të marrëveshjes së armëpushimit arritur më 1973.
Zyrtarët në mbarë botën nderojnë Kissingerin
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Kissinger “krijoi me të vërtetë standardin për të gjithë ata që ndoqën këtë punë” dhe se ai ishte “shumë i privilegjuar që të merrja këshillën e tij shumë herë, duke përfshirë edhe një muaj më parë”.
“Pak njerëz ishin studentë më të mirë të historisë”, tha ai. “Edhe më pak njerëz bënë më shumë për të formësuar historinë sesa Henry Kissinger”, tha ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e quajti Kissingerin “një njeri i sjellshëm dhe një mendje brilante, i cili, për mbi 100 vjet i dha formë fateve të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të shekullit”. “Një strateg me vëmendje deri në detajet më të vogla”, tha Michel.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, shkroi në X – që më herët njihej si Twitter, se “Henry Kissinger ishte një gjigant i historisë. Shekulli i tij i ideve dhe i diplomacisë pati një ndikim të qëndrueshëm në kohën e tij dhe në botën tonë”.
Edhe udhëheqësit e Gjermanisë, vendit të lindjes së Kissingeritm e përkujtuan ish-diplomatin, i cili ishte hebre, dhe ishte larguar së bashku me familjen e tij nga Gjermania Naziste kur ishte adoleshentë.
“Angazhimi i tij për miqësinë transatlantike midis SHBA-së dhe Gjermanisë ishte i rëndësishëm dhe ai mbeti gjithmonë pranë atdheut të tij gjerman”, shkroi kancelari gjerman, Olaf Scholz në X.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, gjatë takimit me sekretarin Blinken në Tel Aviv se Kissinger “vuri gurin e themelit të marrëveshjes së paqes, e cila u nënshkrua më vonë me Egjiptin, dhe shumë procese të tjera në mbarë botën që unë i admiroj”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se ndikimi i Kissingerit në të menduarit për politikën e jashtme dhe skenën globale do të jetojë edhe pas vdekjes së diplomatit.
“Shekulli i Henry Kissinger nuk ishte i lehtë, por sfidat e tij të mëdha i përshtaten mendjes së tij madhështore dhe kurioze. Ai ndryshoi ritmin e tij dhe fytyrën e diplomacisë”, tha Kuleba përmes një postimi në X.
Duke komentuar në janar të këtij viti nisjen e pushtimit rus të Ukrainës, Kissinger kishte deklaruar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se anëtarësimi në NATO për Kievin do të ishte një “rezultat i duhur” pasi të përfundojë konflikti.
“Ideja e një Ukrainë neutrale në këto kushte nuk është më kuptimplotë”, kishte deklaruar ai.
Kissinger ka lënë pas dy fëmijë, Elizabeth dhe David. /REL/