Lajme

Vazhdojnë edhe sot diskutimet për Kosovën dhe Serbinë

By GAZETA SCANNER 1

October 27, 2023

Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE).

Kjo pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.

Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit.

Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte, raporton REL.

Në anën tjetër Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit – për të cilin Kosova e lë fajtore Serbinë – kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.

“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.