Këshilla mjekësore

Ushqimet që ju sigurojnë një pleqëri të shëndetshme

By GAZETA SCANNER 1

September 19, 2024

Nëse dëshironi që të keni një pleqëri të shëndetshme ju duhet t’i përdoni këto ushqimet të rekomanduara nga shume dietolog.

1.Ushqimet që ju forcojnë imunitetin

Konsumi i përditshëm i një burimi të proteinave me vlerë të lartë biologjike, por pa yndyrë, si veza, peshku, mishi i shpendëve ose mishi i kuq pa dhjam është i një rëndësie të veçantë. Këto ushqime janë të domosdoshme për të mbrojtur masën muskulore dhe për të prodhuar qelizat e sistemit imunitar. Vecanërisht, të moshuarit nënpeshë duhet të plotësojnë patjetër nevojat ditore në këto ushqime. Një mënyrë është edhe marrja e tyre në formë të lëngshme si p.sh., kos, banana.

2.Kujdesuni për aparatin tretës

Ushqimi duhet të jetë i mjaftueshëm në karbohidratet e duhura, në mënyrë që trupi të mos shpenzojë proteinat për glukozë. Ushqime si fasulet, zarzavatet, drithërat e plotë dhe frutat janë gjithashtu të pasura në fibra, gjë që garanton edhe mbarëvajtjen e zorrëve dhe parandalon kapsllëkun, një problem shumë i përhapur në moshë të madhe. Kujdes, konsumi i ushqimeve me fibra duhet të shoqërohet me sasi të mjaftueshme uji, përndryshe kemi efektin e kundërt nga i dëshiruari.

3.Mbroni zemrën

Ashtu sikurse edhe me moshat më të reja, konsumi i yndyrës duhet të jetë i pakët, sa për të përmirësuar shijen dhe për të mos rritur rrezikun e arterosklerozës. Por lloji i yndyrave është akoma më i rëndësishëm. Ato më të preferuarat janë yndyrat bimore si vaji i ullirit, avokado, arrat, dhe të peshqve të kaltër.

4.Kontrolloni vitaminën B12

10 deri në 30% e të moshuarve vuajnë nga gastriti atrofik, të cilët janë të rrezikuar nga mungesa e vitaminës B12 pasi nuk arrijnë ta përthithin atë nga ushqimi. Duke marrë parasysh pasojat shkatërrimtare që mungesa e vitaminës B12 sjell, si anemia dhe dëmtimi i parikuperueshëm neurologjik, marrja e saj e mjaftueshme dhe monitorimi i vazhdueshëm është tepër i rëndësishëm. Ushqimet që e përmbajnë janë vetëm ato me origjinë shtazore, si pula, peshku, bulmeti, veza dhe mishi. Nëse përthithja nga ushqimi është e cënuar, marrja e vitaminës B12 duhet të bëhet nëpërmjet suplementëve.

5.Dilni në diell

Mungesa e vitaminës D është një problem serioz për moshën e tretë. Burimi i kësaj substance të domosdoshme është kryesisht dielli dhe shumë pak ushqimi. Përvec faktit që të moshuarit dalin shumë pak në diell, aftësia e lëkurës së tyre për të prodhuar vitaminën D ulet. Për këtë arsye, në moshë të madhe duhet marrë suplement i vitaminës D në më të shumtën e rasteve për të siguruar forcën muskulore dhe kockore. Për moshat 51 deri 70 nevojiten 15 mikrogramë​ në ditë, ndërsa mbi 71 vjeç rekomandohet një dozë prej 20 mikrogramë në ditë.

6.Pini qumësht

Qumështi i freskët është burimi më i mirë për të marrë sasinë e nevojshme të kalciumit dhe për ta përthithur atë. Laktoza që gjendet te qumështi ndihmon në përthithjen e këtij minerali, mungesa e të cilit i përball të moshuarit me osteoporozë dhe fraktura. Burime të tjera të kalciumit janë djathrat e stazhionuar, fasulet, sardelet me gjithe hala dhe brokoli. Sipas rastit, suplementet me kalcium mund të jenë të nevojshëm.

7.Mos lejoni t’ju ik oreksi

Përgjithësisht, në moshë shumë të madhe, shqisa e shijimit venitet dhe oreksi vjen gjithnjë e më i pakët. Kjo mund të përbëjë rrezik nën ushqyerje për këtë grupmoshë, e cila çon në dobësi dhe sëmundje. Zinku është minerali që lidhet me oreksin dhe vihet re të merret më pak seç duhet nga të moshuarit. Ushqimet e pasura në zink duhet të bëjnë pjesë të pandarë të menusë ditore, si mishi i viçit, spinaqi, farat dhe vaji i kungullit, fasulet, farat e lirit, karkalecat, hudhra dhe e verdha e vezës.