Opinione

Ura e Ibrit/Populizëm dhe hipokrizi parazgjedhore

By GAZETA SCANNER 1

August 02, 2024

Shkruan: Besa Ismaili

Ura e Ibrit, hapja e saj, ka qenë temë negociimi trepalësh që nga 1999-ta. Në vazhdimësi. Ka patur moratoriume dhe bisedime maratonike. Kosova dhe Serbia në Bruksel kanë negociuar “Revitalizimin e Urës” në vitin 2013/2014 në Projektin 1,5 milionësh që përfundoi në vitin 2018.

Hapja e Urës së Ibrit është pjesë e marrëveshjeve Kosovë – Serbi me ndërmjetësim të BE-së, për të cilat kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani insistonin të ketë zbatueshmëri të plotë.

Për më tepër, Marrëveshja e Ohrit, e arritur nga kryeministri Kurti për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritanishme me Serbinë, është lavdëruar edhe nga Presidetja Osmani në shumë raste.

Si u bë tani që biseda e njëjtë, në format të njëjtë si përherë, Kosovë – Serbi me ndërmjetësim të BE-së, për hapjen e urës së Mitrovicës, qenka shkelje sovraniteti?

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani duhet të pushojnë më së përdoruri veriun dhe Urën e Ibrit për efekte elektorale!

Ata, përpara se të lëshoheshin në fushata populiste parazgjedhore dhe hipokrizira të tilla, që s’pinë më ujë dhe që shesin shanse dhe progres për vetëm ca vota më shumë, do të ishte më mirë që të koordinoheshin me aleatët, dhe:

-të jetësojnë hapjen e urës, -të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës -dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje (rrjedhimisht kthimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës).

Vetëm këto përbëjnë sovranitet të mirëfilltë të Republikës së Kosovës.