Ekonomi

United Airlines bëhet me shef të ri

Aviokompania amerikane me bazë në Çikago, United Airlines, njoftoi se Skot Kirbi, deri më tani i dyti në hierarkinë e United do të bëhet shef ekzekutiv, duke filluar nga maji i vitit të ardhshëm. Oskar Munoz, shefi ekzekutiv aktual, në këtë pozitë që nga 2015, do të bëhet kryetar i bordit të drejtorëve të United, duke zëvendësuar kështu Xhejn Garvi, e cila ishte gruaja e parë që shërbeu si udhëheqëse e Administratës Federale të Aviacionit.

“Me United në një pozicion më të fortë se kurrë, tani është koha e duhur për të filluar procesin e kalimit të menaxhimit te një udhëheqës i ri,” tha Munoz në një njoftim.

Ndryshimet do të hyjnë në fuqi në maj pas mbledhjes vjetore të aksionarëve të kompanisë.

Kirbi është një ish-ekzekutiv i aviokompanisë American Airlines, që iu bashkua United në vitin 2016.

“Jam i nderuar që u emërova shef i ardhshëm dhe ta pasoj Oskarin, udhëheqja e të cilit ka qenë me të vërtetë transformuese për United”, tha Kirbi.

Kirbi do të marrë përsipër kompaninë në një kohë kur ajo po zgjeron rrjetin e saj, duke shtuar më shumë shërbime rajonale nga baza e saj në aeroportin ndërkombëtar Dulles të Çikagos dhe duke vazhduar përpjekjet për përmirësimin e kënaqshmërisë së klientit. United ka punuar shumë për ta rikthyer imazhin pas një incidenti famëkeq të vitit 2017 kur një pasagjer u tërhoq zvarrë nga një aeroplan pasi refuzoi ta lironte ulësen e tij.