Kulturë

​UNESCO: Deri në fund të shekullit të 21 mund të zhduken 3 mijë gjuhë

By GAZETA SCANNER 1

February 21, 2023

Rreth 3 mijë nga më shumë se 7 mijë gjuhët që fliten aktualisht në botë janë në rrezik të zhdukjes deri në fund të shekullit të 21.

Sot shënohet “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare”, e cila u ratifikua në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në vitin 1999 me iniciativën e Bangladeshit dhe festohet çdo vit më 21 shkurt që nga viti 2000.

Sipas të dhënave të UNESCO-s, aktualisht në botë fliten mbi 7.000 gjuhë, nga të cilat 6.700 janë gjuhët e popujve indigjenë, duke i bërë ato gjuhët “më të kërcënuara” në botë.

Sipas projektrezolutës së miratuar si pjesë e Vitit Ndërkombëtar të Gjuhëve Indigjene të OKB-së të festuar në 2019, UNESCO u bën thirrje shteteve të krijojnë fonde dhe mekanizma për ruajtjen e gjuhëve indigjene.

Sipas UNESCO-s, megjithëse popullsia indigjene përbën një pjesë të vogël të popullsisë së vendeve, këto komunitete janë pjesa më e madhe e diversitetit kulturor dhe gjuhësor. Zhdukja e gjuhëve mund të nënkuptojë zhdukjen e pakthyeshme të kozmopolitizmit dhe trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit.

Sipas OKB-së, humbja e diversitetit gjuhësor ndikon në gjithçka, nga jeta biologjike në jetën kulturore.

Gjuhët që nuk janë folur nga askush që nga viti 1950 konsiderohen gjuhë “të zhdukura”, sipas Atlasit Botëror të Gjuhëve të Rrezikuara të UNESCO-s.

Gjuhët që nuk fliten më nga fëmijët si gjuhë amtare klasifikohen si “definitivisht nën kërcënim”, ndërsa gjuhët që fliten nga fëmijët, por që nuk fliten kudo, klasifikohen gjithashtu si “të cenueshme”.

Që një gjuhë të konsiderohet “e sigurt”, duhet të flitet nga të gjitha brezat pa asnjë kufizim gjuhësor. Sipas këtij klasifikimi, 4 për qind e gjuhëve të folura deri më sot atribuohen si “të zhdukura”.

Ndërkaq, 10 për qind e gjuhëve që fliten sot në botë klasifikohen si “të rrezikuara në mënyrë kritike”, 9 për qind “të rrezikuara rëndë”, 11 për qind “definitivisht të kërcënuara” dhe 10 për qind “të cenueshme”. UNESCO është e shqetësuar se këto gjuhë mund të zhduken deri në fund të këtij shekulli./atsh