![Ukrainasja rrëfen tmerrin nga të shtënat e Rusisë: Ikëm të shokuar e si zombi, ishte një mëngjes i frikshëm Ukrainasja rrëfen tmerrin nga të shtënat e Rusisë: Ikëm të shokuar e si zombi, ishte një mëngjes i frikshëm](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/02/foto.jpeg)
Dasha Tokova, është ukrainasja e cila ka zgjedhur të rrëfejë tmerrin që janë duke përjetuar populli i Ukrainës, pasi Rusia nisi sulmet ndaj Ukrainës nga fronte të shumta në mëngjesin e të enjtes në një përshkallëzim dramatik ku shumë qytete u bombarduan.
Ajo në një rrëfim ekskluziv për papirusi.info tregon se gjendja atje nuk është aspak e mirë. “ Jemi shumë të lodhur, ishte një mëngjës i frikshëm”, thotë ajo, teksa bën të ditur se aktualisht gjendet në metron më të thellë të Ukrainës në Evropë, Arsenalna
Ky është vendi më i sigurt nga bombardimet, sqaron më tej ajo, derisa thotë se jeton vetëm dhjetë minuta larg metros që gjendet aktualisht
Por si nisi mëngjesi i qytetarëve ukrainas. Dasha Tokova, tha se në Kiev, mëngjesi për ta nuk ishte i zakonshëm. “ Dëgjuam sirena paralajmëruese dhe të gjithë filluam të vraponim diku për t’u fshehur. Ishte si në filma. Nuk kuptonim se çka po ndodhte, ishim si zombie, këtu të gjithë jemi të shokuar”, e përshkruan ajo më tej gjithë ngjarjen.
Shpërthimet dhe bombardimet u dëgjuan fillimisht nëpër qytetet kryesore në Ukrainë rreth orës 5 të mëngjesit me orën lokale, pasi presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim televiziv para agimit nga Moska duke thënë se ai po autorizonte veprime ushtarake. Ai paralajmëroi vendet e tjera se nëse do të përpiqeshin të ndërhynin, do të përballeshin me një përgjigje ruse “aq të ashpër sa që asnjë komb i huaj nuk e kishte përjetuar ndonjëherë më parë”.
Por, Daka Tokova thotë se ata nuk kanë pasur asnjëherë një situatë kaq të tmerrshme më herët dhe njerëzit janë shumë të frikësuar.
“U zgjova në 6 të mëngjesit nga fakti se sirenat po binin dhe realisht nuk po kuptoja se çka po ndodhte. Më pas më telefonoi nëna dhe shoqëria të cilët më thanë se duhej të mblidhja gjërat e nevojshme”, u shpreh ajo për papirusi.info.
Në rrëfimin e saj Tokova tregon se pas kësaj shpejt shkoi në një market për të blerë diçka për të ngrënë por pas sirenës së dytë vazhdoi të fshihej në metro.
“ Objektet ushtarake dhe strategjike po bombardohen gjithandej Kievës. Kieva është qëllimi tyre kryesor”, shprehet ajo.